Dyca bëhet “beratas”: Bast i rëndësishëm, për mua dhe Tomorin

0

Mesfushori shkodran Denis Dyca është bërë pjesë e Tomorit, duke mos preferuar të vijojë në Shkodër, ku në ekipin e parë nuk e ka përfillur askush. Pak para startit të seancës stërvitore të ditës së premte pasdite, në një prononcim për Sport Ekspres dhënë me rastin e prezantimit zyrtar tek skuadra e tij e re e Tomorit, Dyca është shfaqur shumë optimist, jo vetëm për përzgjedhjen e tij më të re në edicionin futbollistik 2018-2019, por edhe për shpresat që ka Tomori për kthim në Superiore.

“Të them të drejtën, nuk është se jam menduar dy herë për këtë përzgjedhje, që do të thotë se qysh në kontaktin e parë kam pranuar pa as më të voglin hezitim skuadrën e Tomorit. Shpresoj shumë që duke kontribuar maksimalisht, të jap gjithçka nga vetja ime, në mënyrë që në sezonin e ri futbollistik ne të arrijmë ngjitjen në Superiore. Kam shumë besim që me një klub dhe skuadër shumë të njohur si Tomori, të realizojmë atë ëndërr të njohur dhe të mundshme plotësisht për tu realizuar, që të rikthejmë pas gjashtë sezoneve skuadrën në Superiore.

“Unë ndaj kam zgjedhur Tomorin, jo vetëm për historinë e lavdishme që ka kjo skuadër dhe investimin që po kryen klubi, por edhe se për këtë sfidë jam duke i përgatitur seriozisht që në fund të sezonit të deklarohem si një bast i fituar, si për veten, ashtu edhe për klubin e njohur beratas. Mbi të gjitha vlerësoj këtë tifozeri të mrekullueshme që kam gjetur këtu, të cilës dua t’ia shpërblej qysh në ndeshjen e parë ndaj Lushnjës në Berat”, ka deklaruar shkodrani 22-vjeçar, i cili përveçse me Vllazninë, ka luajtur edhe me Kastriotin.

Edi Spahiu

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.