Të kesh yje në skuadër vlen lojë të bukur, gola e ndoshta shumë trofe, por ka edhe telashet e veta, pasi duhet një menaxhim i mirë nga ana e klubit dhe trajnerit.
Te PSG duket se ka lindur një problem, pasi Nejmari është superstari i skuadrës, por ardhja e tij i “shkel këmbët” Edinson Kavanit.
Dy yjet e sulmit parisien janë mësuar të gjuajnë faulle e penallti dhe Nejmar i sheh si e drejtë e tij t’i gjuajë edhe te PSG, aty ku deri tani Kavani ishte pronari.
Dje, në fitoren 2-0 ndaj Lionit, dolën në dritë problemet mes tyre, me një grindje të ashpër për goditjen e një faulli, që e ekzekutoi Nejmar, ndërsa më vonë Kavani këmbënguli ta gjuante vetë penalltinë, që e humbi kur PSG kryesonte 1-0.
Trajneri Unai Emeri është munduar të kalojë gjithçka qetësisht, duke ftuar lojtarët të bien dakord: “U takon atyre të gjejnë një marrëveshje si zotërinj, si do t’i ndajnë faullet e penalltitë. Nëse nuk e bëjnë, do më duhet të ndërhyj”.