Duro: Mos prisni lojë të bukur, trajnerët patën kohë mjaftueshëm

Ish-trajneri i Kukësit analizon ndryshimet te dy skuadrat, po ashtu flet për pritshmëritë e ndeshjes më të rëndësishme të javës së dytë

Jurgen Zela

Ka arritur që të fitojë trofeun e parë me Kukësin, ndërsa pak muaj më parë ishte kandidat për të marrë stolin e Partizanit. Klodian Duro, pas aventurës me Kukësin, ka preferuar që të presë projektin madhor për të vijuar karrierën si trajner. Ish-futbollisti i Kombëtares, për “Sport Ekspres” flet për ndeshjen më të rëndësishme të kësaj jave, ndërkohë tregon negociatat me të kuqtë. Favorit në këtë takim? Për Duron diferencat në këtë kampionat nuk ekzistojnë.

Profesor Duro, si e shihni përballjen më të rëndësishme të kësaj jave mes Partizanit dhe Kukësit?

Ka nisur një edicion i ri dhe ekipet kanë bërë përgatitjet e tyre. Këtë vit, si Partizani dhe Kukësi vijnë me shumë ndryshime, duke nisur nga pankina dhe deri te lojtarët. Mund të them se të dy trajnerët kanë pasur kohën e duhur për të përgatitur skuadrën, po ashtu për të bërë transferimet e nevojshme. Çdo trajner dhe klub bën planet e veta. Mund të themi se është ende shpejt, por nga ana tjetër janë dy skuadra të cilat i kanë bërë me kohë ndryshimet. Lëvizjet kanë ardhur që pas kupave të Europës. Çdo trajner që merr përsipër të drejtojë një skuadër i ka bërë mirë llogaritë. Koha ka qenë e mjaftueshme.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë sfidë?

Kalendari i ka vënë në pozitë të vështirë, pasi përballen shumë shpejt me këto probleme që kanë, por futbolli i tillë është. Skuadrat nuk vijnë në një moment të mirë dhe besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, por më shumë skuadrat do të kujdesen për të mos humbur. Unë dëshiroj si trajner që të shoh një futboll të bukur në të gjitha aspektet. Dua që të shoh lojë të bukur, pavarësisht se do të jetë e vështirë. Mund të fitojë si Kukësi, ashtu dhe Partizani. Nuk mund të jap një parashikim, pasi diferencat janë shumë të vogla.

Kë shihni si më superiore në këtë ndeshje?

Nuk mendoj se një skuadër do të bëjë diferencën. Kjo ndeshje mund të vendoset nga ndonjë episod, por asnjëra nga skuadrat nuk mund të dominojë mbi ekipin tjetër.

Kë shihni si pretendent në këtë sezon të ri?

Me atë që kemi parë në fushën e lojës, mund të themi se të gjitha ekipet janë pretendente për të dalë kampion dhe të gjitha ekipet rrezikojnë. Të gjitha skuadrat nuk kanë ndonjë diferencë për t’u vënë në dukje. Nuk është se ka një skuadër dominuese, qoftë ky dhe Skënderbeu, që ka një marsh më tepër për shkak të angazhimeve në Europë. Asnjë ekip nuk ka mundur që të ketë diferenca të mëdha. Kampionatet janë zgjidhur në fund.

Mund të sillte humbja ndonjë ndryshim të papritur në stol, duke pasur parasysh precedentët e mëparshëm?

Në çdo moment trajneri mund të presë gjithçka, por trajnerit duhet t’i lihet koha e duhur derisa të bindesh për çfarë nuk shkon. Besoj se është akoma shpejt për të marrë një vendim të tillë. Në ecurinë e një ekipi duhet të ketë stabilitet.

Mos trajnerët duan më shumë kohë që të përcjellin te skuadrat respektive filozofinë e tyre?

Kukësi ka qenë në kohë për të bërë ndryshimet që kërkonte. Llogaritë ishin të qarta. Milinkoviç i di mirë pritshmëritë, përderisa ka lidhur një kontratë. Unë ia uroj çdo trajneri që të merrte një skuadër në kohën që e ka marrë Milinkoviç dhe Juliano. Kanë pasur mundësi që të bëjnë merkato, fazë përgatitore dhe gjithçka tjetër. Kukësi ende nuk ka treguar atë që presin të gjithë. Trajneri ka premtuar dhe lojën e bukur, por deri tani nuk ka ndodhur. Kukësi në këtë moment ndodhet dhe trajneri Milinkoviç dhe Kukësi duhet të reagojë dhe ka ndeshjen e duhur për ta bërë diçka të tillë.

Jeni përfolur që në verë mund të merrnit drejtimin e Partizanit. Çfarë ndodhi saktësisht asokohe?

Dua ta falënderoj presidentin Demi për korrektësinë e treguar si në bisedime dhe deri tani. Kam bërë një bisedë konkrete, para se të emërohej trajneri. Unë e vlerësoj për atë që kemi biseduar, pasi kur i beson projektin një njeriu, i përmbahet atij. Ai i besoi Moxhit. Nëse ai nuk do të zgjidhte një trajner deri në afatin e caktuar, atëherë do të kishim një bashkëpunim. Korrektësia ka qenë maksimale dhe unë i uroj shumë suksese në projektin e tij.

Një bashkëpunim i mundshëm me një nga këto dy skuadra në të ardhmen?

Unë jam i hapur për gjithkënd. Kurrë nuk mund të thuash kurrë. Në Kukës kam ende shumë miqësi, raporte shumë të mira. Doja që ta çonim deri në fund projektin që kishim nisur, që të dominonim jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë. Kukësi i atij viti besoj se futbollin e bukur e bënte në perfeksion. Nëse do të kishte vazhduar ai projekt, sot do të ishim përkrah Skënderbeut. Çdokush merr vendimet e tij.

Ndërprerja e bashkëpunimit me Kukësin…

Mund të jetë një rast i veçantë ai i ndërprerjes së bashkëpunimit tim me Kukësin. Së bashku me Kukësin arritëm të merrnim trofeun e parë dhe më pas tentuam të gjenim gjuhën e përbashkët për të nënshkruar një kontratë, që për një trajner është e rëndësishme. Që nga koha kur kemi folur për të fundit herë, nuk kam pasur kontakt më me presidentin Gjici. Me ofertën që m’u paraqit dhe me atë që unë mendoja, por pa shprehur gjë, ishin shumë larg, kështu që nga ai moment, duke mos rënë dakord, atëherë u mbyll aty. Më vonë m’u ofruan shifra të tjera, por gjëja kryesore për mua janë mirënjohja dhe respekti, ndaj u mbyll aty, pavarësisht se ajo ofertë ishte shumë e lartë. Mund të them se mua nuk më larguan nga Kukësi, por më deshën me gjithë forcë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online