Duro nuk e diskuton Laçin: I sigurt, fitojmë ne!

0

Kamza është gati për Laçin dhe trajneri Klodian Duro në konferencën e sotme për shtyp është shprehur se nuk do të ndryshojë asgjë te skuadra e tij për takimin e radhës kundër kurbinasve.

“Nuk do ndryshoj asgjë, thjesht do vazhdojmë lojën tonë, të përqendruar dhe të impenjuar maksimalisht për të kaluar ndeshjen e radhës. Jemi përgatitur dhe i qetë e i sigurt që do e kalojmë me sukses ndeshjen e nesërme”.

BINDJA PËR FITORE – “Bazohem te futbollistët që kam në dispozicion dhe te puna e përditshme. Ndaj jam i qetë, sepse kemi treguar që Kamza di të luajë futboll të bukur dhe fitues. Kështu do të jetë edhe ndaj Laçit”.

RIVALI – “Për kundërshtarin kam shumë respekt, pavarësisht kush është përballë. Por më intereson vetëm që ekipi im të jetë në 100%. Do të jetë një ndeshje e bukur, ku do dalim ne fitues”.

GRUPI – “Po, kemi qenë gjithnjë të plotë dhe do jemi të plotë, deri në ndeshjen e fundit të dy fazave të para.  Kjo sepse mënyra jonë e stërvitjes dhe përjetimit të ndeshjes bën që lojtarët të jenë maksimalisht të përqendruar dhe dëmtimet janë shumë të vogla”.

TENSIONI ME LAÇIN – “Kemi respekt maksimal për Laçin, por ne shohim punën tonë dhe mendoj se kemi kapacitetet për të kaluar Laçin dhe rivalët pasues”.

KAMZA E DUROS – “E kam ndjekur ekipin edhe para se ta merrja drejtimin dhe më ka pëlqyer përbërja e ekipit. Jam i kënaqur me ekipin që kam, sepse lojtarët kanë arritur aty ku unë mendoj dhe në fushë kemi treguar se dimë të luajmë si të barabartë, me çdo rival. Këtë e treguam edhe në ndeshjen e fundit, duke qenë të barabartë, apo ndoshta edhe më mirë se kundërshtari, edhe pse në futboll që të mos fitosh. Jam i lumtur me këtë grup futbollistësh”.

PLAKU – “Sebino nuk ka nevojë për ndihmë, është një futbollist i kompletuar dhe jam shumë i lumtur që e kam në krah. Është kapiteni dhe lideri ynë, është vetëm java e pestë dhe ka shënuar që në start, duke treguar se është i njëjti Sebino që ishte vjet. Kanë shënuar lojtarë të tjerë në ndeshjet e fundit, Plaku ka shërbyer për shokët, edhe pse natyrisht do ishte i lumtur po të shënonte më shumë. Nuk kam asnjë problem me mungesën e golit, jam i bindur që shumë shpejt do kthehet te goli dhe do e udhëheqë ekipin nga fitorja në fitore”.

ZISI – “Jo vetëm Zisi, por çdo futbollist është në dispozicion. Dalëngadalë do të hyjë në mekanizmat e ekipit dhe si çdo lojtar do të ketë hapësirë, ndërsa lojtarët kanë për detyrë të fitojnë vendin në formacion. Shumë shpejt do t’u jepet mundësi gjithë lojtarëve që të tregojnë veten”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.