Tekniku kryeqytetas konfirmon afrimin e Ardit Hoxhajt dhe tregon se po bisedohet edhe me pesë futbollistë të tjerë. “Të larguarit? Më interesojnë vetëm afrimet”
Elton Nika
Flamurtari mbetet në fazën e ndërtimit të skuadrës, ndërkohë që trajneri Shpëtim Duro konfirmon tashmë dhe afrimin e Ardit Hoxhajt. Lojtari vlonjat, për të cilin “Sport Ekspres” shkroi pak ditë më parë, tashmë është pjesë e skuadrës së Flamurtarit për sezonin e ardhshëm, duke u bërë kështu afrimi i dytë te vlonjatët. Trajneri i ekipit vlonjate konfirmon tashmë se vijojnë bisedimet edhe me lojtarë të tjerë, pa preferuar të zbulojë emra. Duro ndalet edhe te largimet, por thekson se më së shumti për momentin i interesojnë lojtarët që do të afrohen në ekip.
-Profesor Duro, jemi në periudhë merkatoje. Çfarë po bëhet aktualisht te Flamurtari?
-Jemi duke punuar në këtë drejtim. Deri tani kemi pasur biseda me lojtarë të ndryshëm, por nuk mund të themi emra ende, sepse dihet si është kjo periudhë. Kemi afruar Bicajn dhe sulmuesin Hoxhaj, çka çon në dy afrimet e merkatos së verës tek Flamurtari.
– Do të ketë të tjera afrime, apo jo?
-Padyshim, janë të paktën pesë futbollistë me të cilët kam pasur kontakte dhe biseda, por jo gjithçka është e lehtë, pasi dihet se ka në mes kontrata të ndonjërit, apo edhe oferta nga ndonjë skuadër tjetër. Gjithsesi, ne kemi kohën e mjaftueshme përpara dhe do vijojmë punën për të ngritur skuadrën e sezonit të ardhshëm.
-Momentalisht në skuadër ka më shumë largime se afrime. Çfarë mund të na thoni për këtë?
-Ato që mua më interesojnë janë vetëm afrimet, jo largimet. Lojtarët, të cilët tashmë nuk janë më pjesë e Flamurtarit, që edhe ju i keni publikuar, dihet se kush janë. Ajo çfarë më intereson mua si trajner, janë afrimet, të cilat janë shumë të rëndësishme për ndërtimin e skuadrës në këtë periudhë.
-Janë larguar edhe dy lojtarë mjaft të rëndësishëm si Telushi dhe Shkodra…
-Unë u uroj sukses të dy lojtarëve, por duhet kuptuar se është zgjedhja e tyre, sikurse dihet se edhe kontratat u kishin mbaruar. Shkodra dhe Telushi bënë zgjedhjen e tyre dhe ne nuk mund të bëjmë ndryshe në këtë drejtim. Tani shohim skuadrën dhe ndërtimin e saj.
-A është mesfusha reparti ku ka më shumë boshllëk skuadra?
-Ne jemi duke punuar për afrime në të gjitha repartet. Natyrisht mesfusha ka pasur dy largime mjaft të rëndësishme, largime të cilat do të kërkojmë t’i zëvendësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke afruar lojtarë cilësorë, për atë skuadër që dëshirojmë të kemi sezonin e ardhshëm.
-A do të mbetet Neziraj pjesë e skuadrës?
-Gjatë javës së ardhshme do të mësohet më shumë rreth skuadrës, por Neziraj ka qenë dhe mbetet një lojtarë shumë i mirë. Gjithsesi të shohim në ditët në vijim. Neziraj është pjesë e skuadrës.
—Keni kërkuar shumë një mbrojtës. A hyn Mersini në planet tuaja?
Padyshim që po. Mersini ka qenë një lojtar titullar gjatë kësaj periudhe te Flamurtari dhe është në planet e mia. Normalisht ne nuk kemi kërkuar vetëm mbrojtës, por edhe lojtarë për repartet e tjera të skuadrës.
-Së fundmi, si po operohet me drejtuesit, po mbani kontakte të vazhdueshme edhe në këto momente?
-Kontaktet kanë qenë të vazhdueshme. Nuk ka rëndësi jam në Vlorë apo jo. Unë punën jam duke e bërë edhe këtu në Tiranë, me kontaktet e shumta që po bëj me lojtarët që na interesojnë. Ndërkohë, edhe me drejtuesit kemi pasur padyshim kontakte të shumta gjatë kësaj periudhe.