Lëvizje te Vllaznia, ofertë konkrete Hasanit

Administratori Astrit Gjyrezi takohet me mesfushorin, i cili pranon: Kam marrë ofertën financiare dhe dua pak kohë para se të vendos!

Gaspër Marku

Te kuqeblutë ka lëvizje pozitive në drejtim të skuadrës së re. Dje është dhënë shkëndija e parë për një Vllazni më kompetitive, teksa një nga emrat më të lakuar të merkatos shkodrane, mesfushori Edon Hasani, është ulur në tavolinë me drejtuesit e klubit. Ka nisur kështu, me sa duket, zyrtarisht puna dhe përgatitjet për ndërtimin e Vllaznisë së sezonit të ri. Për Hasanin, një produkt i shkollës shkodrane, i lindur dhe rritur në mjedisin futbollistik kuqeblu, ka kohë që flitet se mund të kthehet në familjen e tij sportive. Pasi një aventure jashtë Shkodrës, që ka nisur me ekipe jashtë vendit, në Bullgari dhe në Rumani, dhe ka vazhduar me Kukësin në Superligë, drejtuesit e Vllaznisë kanë tentuar ta rikthejnë atë në Shkodër më parë, por, për arsye nga më të ndryshmet, një gjë e tillë nuk është bërë e mundur. Megjithatë, këtë herë duket se gjërat ndryshojnë në krahasim me periudhën e mëparshme. Kjo duket edhe në lëvizjet e para, që për hir të së vërtetës, në plan të parë duken pozitive. Në mesjavë ishte tekniku Armando Cungu, i cili bëri të ditur dakordësinë me drejtuesit e klubit dhe ata të bashkisë për vazhdimin e bashkëpunimit me Vllazninë. Ai tha gjithashtu se kishte gati një listë me emra futbollistësh të merkatos kuqeblu, ku mes tyre janë shkodranët e aktivizuar me ekipet e tjera të Superiores. Ndonëse trajneri Cungu nuk preferoi të jepte emra konkretë, “Sport Ekspres” mësoi se njëri prej tyre është Edon Hasani. Madje, Hasani është ndoshta i pari, që drejtuesit e Vllaznisë kanë nisur zyrtarisht kontaktet. Kështu, nga sa bëhet e ditur, telefonata e parë në drejtim të Edon Hasanit është bërë nga trajneri Armando Cungu dhe më pas nuk ka vonuar që edhe zyrtari i klubit kuqeblu, administratori Astrit Gjyrezi ta takojë atë personalisht. Emra të tjerë të listës së trajnerit Cungu mendohet të jenë Gilman Lika, por edhe shkodranë të tjerë si Vucaj, Nika e ndonjë tjetër. Kjo javë pritet të sjellë zhvillime në kampin kuqeblu.

GJYREZI-HASANI – Ndonëse fundjavë dhe ditë pushimi për administratën, për numrin një të klubit të futbollit “Vllaznia” nuk ka qenë e tillë. Në mesditë, në zyrën e administratorit kuqeblu, Astrit Gjyrezit, është realizuar takimi mes tij dhe Edon Hasanit. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë futbollisti shkodran, i cili disa orë pas takimit ka konfirmuar për “Sport Ekspres” atë çfarë ndodhi në atë takim: “Po, është e vërtetë. Pata një takim me administratorin e klubit të Vllaznisë, Astrit Gjyrezin, i cili më shprehu dëshirën për të më pasur në ekip sezonin e ardhshëm”, – thotë Hasani.

OFERTA – Më tej mesfushori shton se pak ditë më parë atë e ka kontaktuar trajneri Armando Cungu, që gjithashtu i ka shprehur dëshirën dhe pëlqimin për ta pasur në ekip. Hasani thekson se nuk ka qenë vetëm bisedë kortezie, por nga ana e tij, administratori Gjyrezi i ka bërë të ditur edhe ofertën financiare: “Krahas bisedës, z.Gjyrezi më dha edhe ofertën konkrete, që unë e kam lënë të hapur. E falënderova dhe i thashë se do ta mendoj disi më qetësisht dhe më pas do të vendos këto ditë se çfarë do të bëj”, shprehet futbollisti shkodran. Për afatin kohor ai thotë se nuk është përcaktuar asnjë datë: “Nuk kemi lënë diçka konkrete për kohën, por e përsëris se këto ditë do të më shërbejnë për t’i menduar mirë gjërat, para se të vendos përfundimisht”, – ka përfunduar Hasani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online