Klodian Duro është prezantuar si trajner i ri i Kamzës. Ish-trajneri i Kukësit, i cili pason Bledar Devollin në stolin e kamzalinjve, është shprehur se ka një skuadër me kontingjent të mirë lojtarësh, me të cilën do të mundohet të bërë maksimumin ndeshje pas ndeshje.
“Si fillim do doja të falënderoja presidentin për besimin. Të trija ndeshjet e para me Tiranën, Partizanin dhe Teutën i kam ndjekur. Jam i kënaqur me atë që Kamza ka dhënë, pavarësisht se dy ndeshjet e fundit kanë lënë shenjë”.
“Nuk e kisha të vështirë për të marrë përsipër drejtimin e Kamzës. Kamza është një ekip i plotë, është një ekip i ndërruar shumë mirë në të gjitha aspektet. ekipi ka pasur stabilitet edhe në lojë, por edhe po të shikojmë rezultatet, nuk është se ka çeduar shumë. Humbjet kanë qenë minimale. E thashë, nuk është fundi i botës të humbësh me Partizanin dhe Teutën. Ambiciet e Kamzës janë për më lart. Duhet të jemi të zgjuar që në fillim, pasi më pas gjërat bëhen më të vështira, sikurse ndodhi edhe vjet, kur Kamza e siguroi mbijetesën vetëm në ndeshjen e fundit”.
“Superiorja është e fortë dhe në një moment kur e ndjen veten të sigurt mund të përfundosh në vendet e fundit të tabelës. Kamza e ka bazën të shëndoshë. Por ka punë për të bërë për të qenë të qetë dhe për të bërë lojëra të mira dhe për të marrë rezultate të mira”.
“Nuk ndihem mirë kur një trajner largohet që në javën e tretë. Sa më shpejt të bësh pikët dhe rezultatet, bëhet më e lehtë. Nis një detyrë e re dhe jam optimist. Kam besim se me të gjithë komponentët mund të afrohemi afër maksimumit”.
“Çdo trajner ka idetë e veta, idetë e mia janë për një futboll me logjikë, me zotërim topin dhe konkretizim golash. Hap pas hapi, duke i marrë gjërat një nga një do vijë me logjikë gjithçka”.
“Nëse nuk do isha i sigurt, nuk është se do mendohesha kaq shpejt. Kisha një panoramë të Kamzës, më pëlqejnë sfidat dhe e mora përsipër. Pas eksperiencës me Kukësin, jam akoma më i motivuar tani. Ndjek gjithë kohën çfarë ndodh në futbollin tonë. Kam synimet e mia për të lënë shenjë edhe në drejtim. jam i motivuar, pasi çdo pushim të jep energji pozitive”.
“Kemi kohë të mjaftueshme për ndeshjen e radhës. Duke futur edhe ndeshje e kupës mjafton. Ekipi është ndërtuar dhe ka bërë lojëra të mira. Do punoj të fus idetë e mia. Lojtarët kanë eksperiencën për t’i thithur shumë shpejt dhe për t’i aplikuar në fushën e lojës”.
“Nuk na pengon njeri të ëndërrojmë dhe unë i kam qejf ëndrrat. Por më shumë më pëlqen t’i realizoj. Hap pas hapi do shohim. Dyert për në Europa janë të hapura për të gjithë, aq më tepër që flitet se Kukësi është pretendent për titull dhe ka vetëm një pikë më shumë se Kamza. kështu që i bie që të jemi të dytët. Kur nuk kemi luajtur me ta, i bie që i kemi mundësitë t’i kalojmë”.