Klodian Duro e ka nisur mbarë me Kamzën dhe ndihet mirë. “Është ndjesi e mirë, jo vetëm rikthimi, por dhe vetë fitorja. Nuk është e lehtë në elitë, pasi është një kampionat shumë i fortë. Është e vështirë të marrësh fitore. Jam i kënaqur, pasi e nisa mbarë si në Kupë dhe në kampionat”, u shpreh fillimisht trajneri i Kamzës në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
Më tej ai shtoi:“ Kemi punuar çdo ditë dhe lojtarët janë impenjuar shumë. Dëshira ka qenë e madhe. Futbollistët dhanë gjithçka dhe dua t’i falënderoj. Unë mund të vijoj shumë taktika, por ata janë interpretuesit dhe sot bënë një ndeshje të mirë dhe morën 3 pikët”.
SITUATA – “Gjeta një ekip të organizuar, si tek drejtuesit dhe lojtarët. Gjeta futbollistët e duhur për të shprehur idetë që kam për futbollin. Jemi rritur që nga dita e parë dhe deri më sot. Jo se vjen Duro dhe do fitojmë, por duhet të punojmë në stërvitje dhe të shprehemi në fushën e lojës. Hodhëm hapin e parë dhe tani shohim për hapin e dytë dhe më radhë”.
“Unë e thash që nuk është e lehtë të ndërtosh një mënyrë loje. Kërkohet qetësi dhe impenjim. Jam i lumtur që drejtoj këtë skuadër dhe deri në janar do të jemi kështu. Në janar nuk mendoj se do të ndërhyjmë dhe të rregullojmë shumë gjëra, por ndoshta mund të ndërhymë nëse do të kemi nevojë. Sot do të shijojmë këtë fitore me lojtarët dhe do të shohim tek ndeshjet e ardhshme. Kam përshtypjen se do të bëjmë gjëra të bukura këtë edicion”.
SULMI– “Është luks për mua dhe Kamzën që të kemi një kapiten si Plaku dhe një sulmues si Martinena, pasi është diçka shumë e mirë. Është lojtar i huaj, por i gatshëm që të luaj nga fillimi. Ata plotësojnë njëri-tjetrin. Martinena kishte mundësinë për të shënuar, por them se në ndeshjet e ardhshme do ta gjejë golin. Nga ndeshja në ndeshje sulmuesit do të shënojnë. Nuk mjafton vetëm vendosja e mirë, por duhet të shënojmë”.
“Unë jam mësuar kudo që kam luajtur dhe si trajner te Kukësi jam mësuar të fitoj. Kjo do jetë dhe rruga jonë. Nuk di një mënyrë tjetër loje dhe e përgatis ekipin vetëm për fitore. Për të fituar është e vështirë, por ne na pëlqen vështirësia dhe do vazhdojmë në këtë rrugë. Plorit dhe Kastrioti i uroj një kampionat të mbarë, pasi sot dhanë gjithçka për t’u kthyer në kampionat”.