Bajerni i Mynihut fitoi sot derbin kundër Nyrembergut me rezultatin 3-0. Dygolëshi i Levandovskit dhe rrjeta e Riberi i dhanë fitoren e dytë rresht ekipit të Niko Kovaç dhe të tretin rresht, duke përshirë fitoren me “manita” kundër Benfikës në Champions.
Bavarezët renditen në vendin e dytë me 27 pikë, nëntë më pak se Dortmundi kryesues. Trajneri kroat i gjigantëve gjermanë ka folur pas ndeshjes, duke prekur dhe çështjen e titullit. Dortmundi po “fluturon” dhe distanca është e konsiderueshme, pavarësisht se kampionati është i gjatë.
Të gjithë po presin me padurim ndaljen e verdhezinjve, ndërsa Kovaç kërkon të ruajë qetësinë. Kundërshtarët do të gabojnë një ditë dhe Bajerni duhet të jetë gati të përfitojë.
“Për momentin, Dortmundi nuk ka bërë asnjë gabim. Nuk ka rëndësi se cilin ekip pyesni: Laipcigun, ne, Gladbahun, apo çdo ekip që renditet lart në tabelë. Të gjithë duan që ata të bëjnë gabime, por deri më tani nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ky është fakt. Ne duhet të bëjmë detyrat tona, sepse nuk ka sens të merremi me Dortmundin, nëse nuk marrim pikët tona. Të vazhdojmë përpara, të ruajmë përqendrimin deri në fund dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse ata gabojnë, ne do të jemi gati për të përfituar”, përfundon trajneri i Bajernit.