FSHF ka pritur gjatë ditës së sotme sekretarin e përgjithshëm dhe drejtorin e Federatave Kombëtare të UEFA-s, Theodore Theodoridis dhe Zoran Lakoviç. Dy zyrtarët e qeverisë europiane të futbollit inspektuan punimet në zyrat e reja të FSHF dhe në stadiumin “Arena Kombëtare”.
I pranishëm ishte dhe Armand Duka, presidenti i FSHF. Kreu i futbollit shqiptar preku dhe punimet në stadiumin e Kukësit, duke zbuluar dhe kapacitetin e tifozëve që do të përmbajë. Duka flet dhe për të ardhmen, duke treguar kushtin e klubeve për ndërtimin e stadiumeve të reja.
“Ne kemi filluar një projekt të ri, projektin e stadiumit të Kukësit. Do të jetë një stadium me 6 mijë spektatorë, pastaj për vitet e ardhshme ne do të kemi disa projekt-ide. Do të bëjmë një lloj studimi fizibiliteti, kush rikthen, jo vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe nga ana sportive, më të mira për futbollin shqiptar do të ketë përparësi në përzgjedhje“, theksoi Armand Duka.