Shqipëria nuk bën dot përpara me trajner shqiptar, ky është opinioni i pandryshueshëm i Armand Dukës dhe në këtë pikë thuajse gjithë tifozët e kombëtares bien dakord me të, përtej kritikave që mund të kenë ndaj presidentit të FSHF-së.
Dje Duka tha se nuk kishte ende asnjë plan për trajnerin e ri dhe mund të ishte shqiptar ose i huaj, por ishte një deklaratë kalimtare, që është korrigjuar sot.
“Kanë mjaftuar 24 orë nga zyrtarizimi i shkëputjes së marrëdhënieve dhe kanë qenë dhjetra, apo qindra mesazhe që më kanë mbushur telefonin”, konfirmon për Top Channel Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Personalisht po kërkoj një trajner italian”, shton më pas Duka, i cili ëndërron një operacion po aq të suksesshëm sa ai “De Biazi”, goditja më madhështore në karrierën e numrit 1 të futbollit shqiptar.
Emra ka shumë, por për momentin Duka preferon të presë, pasi duhet të zgjidhë edhe një dilemë tjetër: trajner i huaj menjëherë, apo në fund të edicionit aktual për të kursyer dhjetëra mijëra euro.