Racizmi në Itali nuk ka të mbaruar. Shembulli i fundit janë koret e tifozëve të Lacios ndaj Bakajoko dhe Kesi. Kjo ndodhi në ndeshjen gjysmëfinale të kupës së Italisë, ku Lacio fitoi 0-1 dhe shkoi në finale, duke thelluar krizën, që ka kapluar Milanin. Përtej humbjes, një vëmendje të veçantë në San Siro e ka zënë edhe sjellja e tifozëve ndaj dy mesfushorëve të “Djallit”.
Pepe Reina ka reaguar ashpër ndaj tifozëve italianë. Ai i quan ata idiotë dhe shprehet se duhet të hapet një faqe e re ndaj këtij fenomeni. Ai përgëzon reagimin e dy lojtarëve dhe është i mendimit se lojtarët nuk duhet ta lënë fushën e lojës në të tilla raste sepse arbitri dhe asistentët e tij janë ata që vendosin.
“Gjatë gjithë ndeshjes dëgjuam kore raciste nga tifozët e Lacios. Kesi dhe Bakajoko meritojnë repsekt, pasi nuk reaguan dhe u përqëndruan vetëm në fushë. Gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë në ndeshje kanë fuqinë ta ndalojnë ndeshjen nëse e shohin të arsyeshme. Nuk mendoj se lojtarët duhet të braktisin fushën.”
“Dy djemtë janë njerëz me mend në kokë dhe ata e dinë se nuk janë të gjithë tifozët njësoj, nuk janë të gjithë idiotë. Duhet të hapim një faqe të re. Të japim një mesazh të fortë kundër racizmit, megjithëse fatkeqësisht duket e vështirë sepse idiotët janë kudo”, u shpreh ashpër portieri i Milanit.