Kristian Pulisiç do të largohet së shpejti nga Borusia e Dortmundit. Zyrtarët e klubit e kanë bërë të qartë se lojtari nuk është më në planet e klubit. Krisja mes palëve filloi gjatë muajve të verës, kur Pulisiç refuzoi ofertat e njëpasnjëshme të klubit verdhezi për një rinovim kontrate për katër vite.
Amerikani ra dakord të zgjaste kontratën vetëm për një vit, pasi pretendonte se pas një sezoni të mirë do ta kishte më të lehtë të largohej nga Gjermania drejt kampionatit anglez, që ai e ka cilësuar si objektivin e tij parësor.
Gjatë këtij sezoni Pulisiç ka qëndruar më së shumti në stol, kjo dhe falë formës së shkëlqyer të anglezit Xhejdon Sanço.
Sipas “RMC” zëvendësuesi i Pulisiç do të jetë sulmuesi i Borusias Mënshengladbahut, Thorgan Hazard. Vëllai i vogël i futbollistit të Çelsit Eden Hazard, luan prej tri vitesh në Bundesligë dhe po tregon se është ndër ata lojtarë që mund të bëjë diferencën.