Prej muajsh në mediat brenda e jashtë Gjermanisë shkruhet se Pier-Emerik Obamejang është i kërkuar nga gjithë klubet e mëdhenj dhe se PSG apo Mançester Siti, por edhe Reali, paskan qenë gati të ofrojnë shifra të çmendura, deri në 100 milionë euro, për të rrëmbyer yllin e Dortmundit.
Por si është e vërteta? Thjesht dhe qartë: spekulime, aludime dhe ndoshta reklamë falas, pasi asnjë klub nuk ka trokitur në derën e Dortmundit për sulmuesit nga Gaboni, i cili ka shënuar 85 gola në 125 ndeshje me klubin gjerman.
Shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joakim Vacke, ka folur për Bild dhe ka dalë hapur, duke pranuar se nuk ka asnjë ofertë në tryezë dhe se është i gatshëm të pranojë ofertën e parë që i vjen, nëse preket shifra 70 milionë euro, por pse, jo ndoshta edhe më pak se aq për 28-vjeçarin që ka kontratë deri në vitin 2020.
“Do të dëgjojmë çdo klub që do të shfaqë interesim për Obamejangun. Nëse një ofertë zyrtare kap 70 milionë eurot, atëherë mund të vazhdojmë bisedimet, por deri tani nuk ka ardhur asnjë ofertë e tillë”, ka shpjeguar Vacke, i cili në një farë mënyre zbulon se Dortmundi po pret me padurim ta shesë sulmuesin e vet, duke parë se vlera e tij në treg do të ketë vetëm rënie në vitet në vazhdim, duke parë edhe moshën e sulmuesit.