Ardian Mema debutoi në krye të Tiranës në një ndeshje kundër Flamurtarit, që bardheblutë e humbën me rezultatin 1-0 në Vlorë. Nga atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar, ndërkohë që trajneri i kryeqytetasve e ka vënë theksin te gabimet që bëjnë dhe atyre u ka më shumë frikën.
“Kur erdha në fillim më thatë se ju e njihni mirë atë ekip dhe realisht e njihja, pasi kisha punuar aty. Po të shikosh ndeshjen e parë, kemi qenë goxha superiorë me kundërshtarin. Ekipi është shprehur mirë në atë ndeshje, me atë manovër që përgatita me ekipin. Ishte një lojë që na u përshtat ne. Pastaj u pësua goli nga ato gabimet që pësojmë gjithmonë ne dhe kjo ka qenë pak a shumë situata. E njoh mirë Flamurtarin, por futbolli ka edhe të papritura”.
“Ne duhet të jemi të përqendruar. E kam thënë edhe përpara, më frikë po kam pjesën time se sa kundërshtarët. Në Shqipëri po të luash me pak kujdes, nuk ka kundërshtarë të fortë dhe të dobët. Kam tetë ndeshje këtu, a mund të më thotë dikush se ndryshojnë gjërat për tetë javë apo nëntë javë në futboll? Duhet koha e vet dhe sigurisht që do të ndryshojnë gjërat. Por përpos të tjerave Tiranën e ka ndjekur edhe fati i keq. Kemi diskutuar gjithë kohën dhe mendoj se futbollistët duhet të kuptojnë përgjegjësitë që kanë dhe çfarë duhet të japin në fushën e lojës”.
“Përmirësimi i gabimeve individuale? Teknikisht, po të shohim golat që ka pësuar Tirana, nuk ka trajner që ta mëson atë në ekip të parë. Janë gabime që vijnë ose nga stërvitja jo e mirë te moshat, ose këto janë probleme të mbartura. Tani, të vijë një trajner i ekipit të parë dhe të trajtojë gjëra që duhet të ishin bërë që në vegjëli, kjo merr goxha kohë. Nëse gjeni një ekip, që në 9 ndeshje ka falur gola, mund të më thoni. Mund të ndodhin njëherë në 10 ndeshje gabime të tilla. Gabimet kanë sjellë fatalitet tek ekipi i Tiranës. Këtë pjesë unë po e vuaj shumë. Nuk po vuaj faktin që një kundërshtar është më i fortë se ne, apo që ne se kemi përgatitur ndeshjen. Por po vuajmë frikën që na vjen nga pas prej gabimeve”.
“Idrizi ka thënë se Mema i sjell fat Flamurtarit? Presidentin Idrizi e kam goxha mik. Ai mbahet për batuta, kam raporte të mira. Besoj se fati do na trokasë neve te dera jonë. Shpresoj të jetë nesër në stadium Idrizi dhe të më sjellë atë fatin real”.
MUNGESAT E KUNDËRSHTARIT – “Bushiç është pikë e fortë në aspektin taktik të Flamuratrit. E kemi përgatitur ndeshjen edhe me mungesat e tyre, por ata kanë lojtarë me kualitet si Torasa, Kale dhe Alvesh. Ekipi është përgatitur për të përballuar 90 minutat. Nuk më ka marrë shumë kohë Flamurtari për ta studiuar, pasi e di shumë mirë si është ndërtuar ai ekip dhe si punon trajneri i tyre, që është me shumë kualitet. Janë rritur ata, por nesër do shohim përballjen. Do fitojë ai që gabon më pak”.
PRAGMATIZMI I DAJËS – “Mund të jetë term që përdor në media. Një trajner nga rezultatet mbahet, por Iliri nuk është nga ata. Ai do ta ndërtojë shumë mirë lojën për të ndërtuar bazën dhe të ardhmen. Do isha i lumtur të luaja keq dhe të fitoja. Por një trajner nuk punon dot keq”.
DHURATA E FUNDVITIT – “Dua pikë tani dhe lojtarë në janar. Janë gjëra që duhet të diskutohen në të ardhmen për të gjetur lojtarë, por edhe tre pikët me Flamurtarin nuk është keq t’i marrim”.
DONATOR I RI – “Nuk di shumë për këtë pjesë, është çështje biznesi i presidentit. Ai e di shumë mirë çfarë bën. Që të ketë ndryshime është në të mirë të klubit.
MERKATO – “Kam parë rreth 10 futbollistë, por duhet të shoh akoma më tepër. Nuk punohet vetëm në stërvitje, por edhe jashtë. Duhen parë lojtarët dhe të përzgjidhen më të mirët. Një trajner duhet të punojë 7-8 orë në ditë. Tani duhen parë lojtarë për t’i sjellë dhe për të përforcuar skuadrën. Nuk kam biseduar për një qendërsulmues me presidentin, nuk kam gjë për të fshehur. Skuadra ka nevojë për afrime në të tre repartet e lojës. Por për momentin nuk mund të them dot më tepër se kaq”.
/FLORIAN ALLA