Një “mish-mash” i madh me çështjen Skënderbeu. Klubi korçar, pas lajmit të dalë se nuk ka apeluar në CAS, ka reaguar dhe ka publikuar një dokument ku thuhet se ka pasur një komunikim me CAS në fund të muajit tetor. Sipas klubit korçar, nuk ka asgjë të vërtetë dhe se gjithçka bëhet me qëllim destabilizimin e Skënderbeut.
REAGIMI I SKËNDERBEUT – “Duke marrë shkas nga lajmi i shpërndarë në mediat online, KF Skënderbeu siguron opinionin publik dhe sportdashësit bardhekuq se klubi ka apeluar vendimin e UEFA-s në CAS dhe jemi duke pritur datën e seancës dëgjimore. Dokumenti i publikuar më poshtë i përket datës 29 tetor dhe është letër këmbimi i fundit mes palëve në proces, dokument i cili hedh poshtë pretendimin e mediave vizive dhe online se në CAS nuk ka një apelim nga KF Skënderbeu.
Shprehim publikisht indinjatën dhe zhgënjimin tonë karshi qarqeve të caktuara të cilat vijojnë të ‘luftojnë’ klubin tonë me qëllim destabilizimi duke keqinformuar qëllimisht opinionin publik. KF Skënderbeu siguron mediat dhe Sportdashësit bardhekuq se do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje për të zgjidhur dhe zbardhur të vërtetën e këtij lajmi dashakeq karshi klubit”.
EMAILI I CAS – “U bë një kohë e gjatë që po merremi me këtë çështje. Normalisht në Shqipëri ka një konfuzion në lidhje me datën e procesit gjyqësor në CAS midis Skënderbeut dhe UEFA-s, pasi nuk ka akoma një datë fikse për këtë proces. Në listën tuaj të proceseve nuk figuron asgjë, ndërkohë që aludohet se ky gjyq do të zhvillohet në muajin dhjetor. Do ju lutesha që të më jepnit një informacion të saktë në lidhje me këtë situatë”, ky e-mail i dërguar nga Jeton Selimi, gazetar i Neës 24 dhe Gazeta Shqiptare, mori një përgjigje nga Katy Hogg, oficerja e komunikimit pranë CAS.
“Faleminderit për mesazhin tuaj dhe interesin për aktivitetet e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. Duke parë të dhënat tona, nuk na shfaqet të kemi marrë ndonjë apelim sa i përket çështjes që ju përshkruani më poshtë”, shkruante Hogg.