Stavri Nica, në rrëfimin e tij në Supersport, ka zbuluar edhe formacionin e tij të karrierës. E ka bërë diçka të tillë më parë edhe në SportEkspres.com. “Po të bej një formacion, do të marr më shumë nga dy ekipet, Laçi e Teuta. Dua të them që duhet të mos i ngelë hatri ndonjë lojtari cilësor që nuk do ta fus, pasi nuk vihen më shumë se 11”, thotë Nica fillimisht dhe më pas jep emrat një e nga një.
“Do përmend Kapllanin, një kampion dhe një portier i talentuar. Ardian Abazi ishte kapiteni dhe e meriton tamam emrin kampion. Furrxhi është po mosha e Ardit dhe tani është trajner, madje edhe pak i thinjur. Buljan është kroati, një njeri shumë i dashur, një kroat që mësoi shqip shumë mirë, me intelekt. Nesti Qëndro ishte nj talent që arriti të kontribuojë me Teutën. Dua të përmend që një ditë luajti me Shpresat dhe një ditë me kombëtaren dhe i bëri të dyja ndeshjet shkëlqyeshëm”.
“Vucaj, shkodrani, nga fillimet e veta ka ardhur te Laçi dhe u afirmua. Vila, Emiljano, arriti deri në nivel të lartë, duke luajtur në Kroaci dhe me kombëtaren. Emiljano Veliajn, nga Berati, është një mesfushor me shumë intelekt, ka kontribuar shumë te Laçi. Një njeri fantastik. E përgëzoj për aftësitë e tij që ka pasur në goditjet standarde. I kishte me notën 10”.
“Treshja e sulmit, që mendoj unë është më e mira, është Mancaku-Xhejms, Xhafaj. Do ishte treshja më ideale. Edhe në ekip kombëtar t’i kishe, do ishin fantastikë. Xhafa ishte në periudhën që morëm Kupën. Çuditërisht bëri rolin e psikologut dhe të një trajneri, e mblidhte skuadrën çdo ditë, e qeraste me kafe dhe më bënte edhe mua pjesë të grupit. Xhejms erdhi nga Bylisi. E morëm si mbrojtës, si mesfushor, por më bindi se mund të bënte sulmuesin dhe arritëm ta përshtatim në Laç. Na u bë një sulmues shumë i rrezikshëm, golashënues shumë i mirë. Arriti deri te niveli i Skënderbeut, që ishte niveli i lartë. Mancaku ka qenë një nga talentet e rrallë në Durrës. Po përmend teknikën e tij të lartë, por edhe për goditjen e mirë. Kishte aftësi të mira dhe në organizimin e lojës. Edhe ai u bë pjesë e ekipit kombëtar. I përshëndes këta djem dhe shpresoj të mos u mbesë hatri të tjerëve”, përfundon Nica.