Tirana po përgatitet për pjesën e dytë të sezonit dhe deri më tani nuk ka asnjë lojtar të afruar. Gjithsesi klubi ka lejuar të largohen dy futbollistë. I pari që ka marrë lejekalimin ka qenë sulmuesi Dejan Blazhevski.
I larguar konsiderohej edhe Sedat Berisha, por me të ende nuk ishte zgjidhur çështja e kontratës. SportEkspres.com mëson se palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët në lidhje me pagesat dhe mbrojtësi qendror ka marrë lejekalimin.
Palët nuk kanë detyrime mes tyre dhe kjo ishte shumë e rëndësishme në këtë ndarje. Berisha me Tiranën u aktivizua vetëm tre ndeshje, dy prej të cilave i nisi si titullar. Kështu 29-vjeçari tashmë duhet të gjejë një tjetër ekip dhe rikthimi në Maqedoni duket opsioni më i mundshëm.
Tani te Tirana duhet të zgjidhin kontratën me Shpëtim Moçkën. Me portierin vlonjat ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët, edhe pse nuk është bashkuar me ekipin në stërvitje. Lejekalimi nuk i është lëshuar, por shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje edhe me të.