Dita e gjykimit, Korça pret me ankth Etikën

Del sot vendimi i shumëpritur nga Komisioni i Etikës për ekipin korçar, që nuk do t’ia dijë, por merr rrugën drejt Sllovenisë

Leonard Trebicka

Ka muaj e muaj të tërë, që flitet për një vendim nga Komisioni i Etikës në FSHF, në lidhje me Skënderbeun. Sot është dita, kur ky vendim do të dalë zyrtarisht nga FSHF-ja dhe në qytetin e Korçës me të drejtë janë në ankth të madh për atë që do të ndodhë. Por te Skënderbeu janë të bindur se nuk ka për të ndodhur gjë. Verën e kaluar UEFA e përjashtoi skuadrën korçare për një vit nga Kupat e Europës dhe Skënderbeu e shleu këtë dënim. Më pas dosja mbërriti edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe me të është marrë Komisioni i Etikës, që ka hetuar për muaj me radhë. Para disa ditësh nuk mori një vendim, por e shtyu atë për më 8 qershor, pra për sot. Në Korçë kanë kohë që presin që kjo çështje të mbyllet sa më parë. Presidenti Ardjan Takaj, sa herë është pyetur në lidhje me vendimin e Etikës, ka deklaruar se është i qetë, sepse UEFA e ka dhënë dënimin e saj, duke u bazuar thjesht dhe vetëm në dyshime. Skënderbeu, sipas tij dhe gjithë korçarëve, është i pastër. Kohët e fundit është aluduar shumë, sidomos nga kundërshtarët e Skënderbeut, për një zbritje të korçarëve një kategori më poshtë apo edhe për heqje të titullit kampion të një sezoni më parë. Por edhe kjo situatë është kaluar me sportivitet nga drejtuesit e ekipit juglindor. Mund të ketë edhe heqje pikësh për kampionatin e ardhshëm, ndaj dhe në Korçë janë të shqetësuar, përderisa nuk e dinë ende vendimin zyrtar. Ka shumë që janë optimistë, duke u bazuar në faktin se masa e UEFA-s ndaj Skënderbeut u mor vetëm për dyshime. Madje, këta persona mendojnë se e gjitha kjo situatë është gatuar nga kundërshtarët e korçarëve. Në klubin “Skënderbeu” e presin me shumë qetësi vendimin e Etikës.

SNOBIMI – Korçarët madje janë aq të qetë për Etikën, sa në një farë mënyre e kanë snobuar atë. Ata nuk kanë pritur të mësojnë vendimin zyrtar, por që sot do të nisen drejt Sllovenisë. Po ashtu, kanë bërë edhe merkato, duke zyrtarizuar dy blerje, që do të thotë se nuk i bezdis shumë çfarë do të vendosë sot Komisioni i Etikës. Nëse do të ishte rreziku i një dënimi ekstrem, atëherë Skënderbeu nuk do të kishte bërë këto lëvizje. Skënderbeu ka bërë gati valixhet që dje dhe në klubin juglindor as që e diskutojnë se përgatitjet e tyre do të jenë krejtësisht normale edhe pas vendimit të sotëm. Në orën 14:30 është planifikuar nisja nga aeroporti “Nënë Tereza” për në Slloveni. Korçarët do të mbërrijnë në Roganska në mbrëmje dhe nesër do të nisin menjëherë me seancat stërvitore. Kështu, Skënderbeu e ka mendjen te faza përgatitore verore dhe jo te Komisioni i Etikës, që ka punën e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online