Idriz Batha ka vendosur për të ardhmen dhe do të jetë pjesë e Tiranës. Mesfushori e kishte gjetur akordin me kohë me bardheblutë, ndërkohë që ditën e djeshme është mbyllur gjithçka. Gjirokastriti pritet që ditën e sotme të zyrtarizohet dhe prezantohet me fotot e zakonshme që klubi bardheblu poston në rrjetet sociale.
Batha kërkohej nga disa klube, me Kukësin në krye. E ka tentuar edhe Laçi, por kurbinasit nuk ishin të gatshëm të paguanin shifrat që mesfushori kërkonte. Verilindorët e financuar nga Safet Gjici e kishin bindur Bathën, teksa ishte arritur akordi për shumën totale që do të përfitonte.
Kukësi është stepur te pagesa “cash” që kërkonte mesfushori. 10 mijë euro parapagim, ky ishte kushti për të firmosur. Aty ngeci gjithçka, ndërkohë që Tirana u tregua e gatshme të jepte edhe më shumë në dorë, rreth 20 mijë euro. Batha pranoi marrëveshjen dhe tanimë pret të nisë një aventurë të re.
KITANOVSKI – Mbrojtësi i djathtë, i cili është larguar nga Sabail në Azerbajxhan, pritej ditën e djeshme te Kukësi. Maqedonasi Tome Kitanovski nuk është dukur, por ka njoftuar që ditën e sotme do të jetë në kryeqytet për të diskutuar për detajet e marrëveshjes dhe për të nënshkruar. Parimisht ka një akord.
Veç Kitanoviskit, te Kukësi sot pritet edhe Bruno Lulaj. Mbrojtësi, i cili luan edhe si mesfushor, ka pranuar ofertën e klubit verilindor dhe sot me shumë mundësi do të vihet nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka. Sa i takon sulmuesit Ismael Dunga, momentalisht bisedimet kanë ngecur për shkak të kërkesave financiare të sulmuesit.