Dikur refuzonte Prandelin, Firat zbulon projektin e Vllaznisë së madhe

Ergin Firat pranoi ofertën e Vllaznisë si drejtor sportiv dhe po punon që jo vetëm të transferojë futbollistë, por edhe të privatizojë klubin dhe të sjellë të ardhura të rëndësishme prej marketingut nga jashtë vendit. Një një intervistë të dhënë për “RTSH Sport”, drejtori i kuqezbluve tregon se si e la futbollin e luajtur, projektet e tij me Vllazninë, si dhe mundësinë për të bashkëpunuar edhe me klube të Bundesligës gjermane pas janarit.

NGA FUTBOLLI I LUAJTUR, TE MENAXHIMI – “Është e vërtetë, e kam mbyllur karrierën si futbollist në një moshë shumë të re. Kjo ndodhi për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Por të jem i sinqertë, nuk kam qenë ndonjë lojtar i talentuar. Prandaj mora një vendim shumë të vështirë, por shumë të rëndësishëm për ta nisur karrierën si trajner. Nisa menjëherë punën për të mësuar sa më shumë”.

E SHKUARA – “Nëse kthehem pas në kohë, rrugëtimi im nis si trajner nis në vitin 1997. Isha ndihmës i Jarabinski te Sparta e Pragës. Kjo më ndihmoi shumë. Është shumë e rëndësishme që në punën që bën të mbështetësh nga njerëz të tillë që të mësojnë shumë. Kam mbaruar universitetin e sporteve në Gjermani, por praktika në ktë profesion është shumë e rëndësishme, sidomos të nisësh punën në nivele të tilla, si në Champions apo UEFA Cup”.

“Eksperiencat më kanë ndihmuar shumë dhe këtu nuk dua të përqendrohem vetëm te futbolli i luajtur. Kjo sepse kur udhëton kaq shumë takon njerëz të ndryshëm, njeh kultura të ndryshme dhe ndryshon edhe vetë si njeri. Tani mund të them se jam më i qetë si njeri, por edhe më i aftë për të reaguar më shpejt. Tani kam eksperiencë për të korrigjuar gabimet që mund të më paraqiten.

OFERTA E PRANDELIT – “Në vitin 2004 italiani mori drejtimin e Gallatasarajit dhe i ka ofruar Firat mundësinë të ishte ndihmës i tij. “Është e vërtetë. E dini, në jetë duhet marrë disa vendime të rëndësishme dhe unë thashë me vete që nuk dua të punoj më si ndihmëstrajner. Është një detyrë që lidhet ekskluzivisht me vendimet e dikujt tjetër. Unë nuk e kam problem të refuzoj, por dua të theksoj gjithashtu se në atë kohë te Gallatasaraj kishte shumë presion për këtë çështje. Kjo pasi unë kisha qenë trajner i Fenerbahçes dhe kjo mund të sillte probleme. Kjo ishte një tjetër arsye që m;u desh ta refuzoja atë ofertë nga Prandeli”.

ZGJEDHJA E SHQIPËRISË – “Kam disa miq të vjetër nga Shqipëria, si Rudi Vata dhe Suad Lici. Ata më kërkuan të ndihmoj klubin, pasi e ndjejnë shumë këtë fanellë. Morën kohën e duhur për të vendosur dhe fillimisht mendova se nuk ishte e mundur që të vija të punoja me një skuadër në Kategorinë e Parë. Kryebashkiakja Voltana Ademi këmbënguli dhe më telefonoi për të pranuar ofertën e Vllaznisë. Nuk ka qenë një vendim i lehtë, pasi unë kisha edhe disa projekte të tjera”.

DETYRA SI DREJTUES – “Nuk të bën vetëm puna në fushën e blertë një menaxher të suksesshëm. Shikoni Ferguson, ai kishte shumë përgjegjësi edhe jashtë fushe. Kur drejton skuadra të një niveli të lartë mëson se diferencat mes drejtorit sportiv dhe trajnerit janë shumë të vogla”.

KONTRATA DHE PROJEKTET – “Fillimisht duhet të jemi realistë dhe të pranojmë këtë situatë. Kemi shumë probleme, borxhe dhe duhet të nisim disa projekte për të dalë nga kjo situatë. Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të presim që dikush të na japë para për të zgjidhur problemet. Duhet ta bëjmë vetë për të qenë të pavarur sportivisht dhe financiarisht. Kemi një bashkëpunim me nj klub në Katar, ku isha për të reklamuar markën tonë. Do binjakëzohemi me një klub atje dhe do na sjellë të mira. Futbolli këtu është i mbyllur, duhet hapur. Duhet marketing dhe transferime. Edhe me Nigerinë po punojmë. këtu nuk ka para për të transferuar yje futbolli, ndaj duhet nuhatje për të gjetur talente. Do punoj për të shitur sa më shumë lojtarë. Problemet financiare nuk janë vetëm të Vllaznisë. Nëse nuk shëndoshën financat, skuadrat shqiptare nuk do jenë pjesë e futbollit evropian. Kemi ngritur një projekt për të rritur dhe shitur lojtarë. Klubi duhet të prodhojë lojtarë, jo të presë merkaton. Kam projekte edhe me Gjermaninë, në janar do komunikojmë me klube të Bundesligës”.

GJENDJA E KLUBIT– “Situata është shumë e keqe momentalisht, ky është realiteti. Klubi ka shumë borxhe të akumuluara ndër vite dhe kjo na shty që këtë sezon të shkurtonim në mënyrë drastike pagat e lojtarëve, pavarëissht se ishin nën kontratë. Situata ka qenë mjaft dramatike, madje mund të them se të gjitha llogaritë bankare i kishim të bllokuara. Për këtë duhet ta shohim realitetin në sy dhe të gjejmë zgjidhje. Unë dua që të jem i pavarur si klub, dua të shikoj një të ardhme që asnjë të mos ndërhyrje në politikat e klubit. Dua ta shoh ekipin të luajë në Europa Ligë, edhe pse skuadra ka shumë kohë që nuk e fiton titullin. Një tjetër projekt është grumbullimi i disa fondeve për të ndërtuar një qendër stërvitore dinjitoze. Unë kur erdha këtu u shokova për faktin se ekipi nuk kishte një fushë ku të stërvitej. Vllaznia është një emër i madh, por vetëm në letër. Nëse shikoni jashtë, klub do të thotë të kesh zyrat e tua, fushat e tua dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme. Ne nuk kemi asgjë dhe ky është realiteti, që duam ta shohim në sy dhe të zgjidhim problemet. Nuk duhet të krenohemi vetëm me të shkuarën. Është e lehtë të thuash që e dua Vllazninë, por nuk shoh mbështetje nga askush”.

SKUADRA – “Morëm në ekip disa lojtarë, mes të cilëve Zhunior. Të gjithë ishin skeptikë për të. Hasan Lika dhe lojtarët i treguan njerëzve që gaboheshin. Skuadra po tregon karakter, megjithëse duhet ta pranoj që shpesh herë kemi probleme për t’i paguar. Është një rrugë e vështirë, sidomos në Kategorinë e Parë. Po ju jap një shembull: Askush nuk dëshiron të vijë të luajë në Kategorinë e Parë dhe këtë ma kanë thënë në Arabinë Saudite. Prandaj unë mendoj se ky sezon është shumë i vështirë, por ai i ardhmi do të jetë më i lehtë”.

E ARDHMJA E LIKËS – “Shpresoj që do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm, por në futboll nuk dihet çfarë ndodh nesër. Nuk është mirë të flasim se ku do të jemi, por të fokusohemi te projektet. Klubi mund të privatizohet dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë”.

MARRËDHËNIA ME TIFOZËT DHE QYTETI – “Ndihem shumë mirë në këtë qytet, është shumë i bukur. Më pëlqen natyra, por më bën përshtypje diçka: keni një vend shumë të bukur dhe nëse bëni reklamën e duhur do të vinin shumë turistë. Pak njerëz e dinë që Shqipëria është një vend kaq i bukur, tregojani botës. Tifozët janë pikë mbështetëse për ne, ata na ndjekin edhe në qytete të tjera. Gjithsesi mbështetja është shumë e vogël dhe u bëj thirrje të jenë pranë skuadrës edhe në momente të vështira. Ata janë tifozë të vërtetë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online