Një nga të paktët stadiume në vend që ka kamera sigurie është ai i “Selman Stërmasit”. Në fundin e ndeshjes mes Tiranës dhe Kukësit, disa tifozë bardheblu vërshuan në fushë të irrituar me lojtarët e tyre. Ata u kërkuan që të hiqnin edhe bluzat që mbanin veshur. Një situatë jo normale dhe që në vitet e fundit nuk ishte parë.
Polica ndërhyri me vonesë, por mësohet se në përfundimin e ndeshjes uniformat e rendit kanë kërkuar pranë klubit të Tiranës pamjet filmike të kamerave që janë instaluar në çdo sektor të stadiumit. Në korridoret e stadiumit të kryeqytetit, pas ndeshjes ishin jo të paktë policët që morën fotot e tifozëve që ndodheshin në sektorin nga ku u futën tifozët në fushë.
Policia do t’i skedojë një e nga një të gjithë personat që do të identifikojë si të përfshirë në këtë ngjarje. Paralajmërimi u bë dhe ditën e djeshme nga vetë faqja e policisë, që theksoi se po punohej për zbardhjen e ngjarjes.
PRECEDENTI – Ndonëse problemet mes tifozëve të Tiranës dhe drejtuesve janë të ditura tashmë, interesant fakti se dhe në ndeshjen e parë mes Kukësit dhe Tiranës, sfidë kjo e zhvilluar në “Loro Boriçi”, pati incidente. Asokohe ishte një përplasje mes disa tifozëve në sektorin ku ndodheshin mbështetësit bardheblu, kjo pasi një pjesë janë kundër presidentit Refik Halili, ndërsa pjesa tjetër nuk e kishin pranuar protestën.