Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli ka dhënë një intevistë për “Sport News”, ku u shpreh optimist për gjysmën e dytë të sezonit. Devolli pranoi se ardhja te Kastrioti është një sfidë e vështirë, por një sfidë që i pëlqen dhe shpreson të bëjë sa më mirë në krye të krutanëve.
Mes të tjerash, Devolli u shpreh: “Jam i kënaqur me grupin që kam për momentin në dispozicion, plus që kam folur me drejtuesin dhe presin 3-4 futbollistë. Nëse vijnë ato, shpresoj të vijnë sa më shpejt, në mënyrë që të punojmë së bashku dhe të ambientohen.
Konkurrenca do të na bëjë mirë dhe fusha do e tregojë kush do zbresë në fushë. Do studioj disa alternativa dhe do të vendos se kush është formacioni më i mirë. Por synimi ynë kryesor është kampionati dhe shpresoj ta nisim sa më mirë gjysmën e dytë, duke filluar që nga ndeshja kundër Luftëtarit. Shpresoj të nisim mbarë dhe me fitore.
Unë kam ardhur me qejf te Kastrioti, dua të punoj këtu, edhe pse e di se është shumë e vështirë. Por mua më pëlqejnë sfida dhe është një sfidë që me ndihmën e Zotit, mund të kalohet me sukses”,- përfundoi trajneri i krutanëve.