Milan në merkaton e verës ishte mjaft aktive, teksa ndër të parët lojtar që u transferua në “San Siro”, ishte talenti Alen Haliloviç. Kroatit i përfundoi kontrata në muajin korrik me ish-ekipin e tij, Hamburgun dhe u transferua me parametra zero në radhët e Milanit.
Gjithsesi, 22-vjeçari nuk ka arritur thuajse për asnjë moment të bindë trajnerin Gatuzo, për t’i dhënë minuta në Serie A. Haliloviç numëron vetëm 60 minuta me fanellën e Milanit, të gjitha këto në tre ndeshje të Europa League.
Një largim i tij duket i pashmangshëm dhe kontaktet e para kanë filluar. Ekipi më i interesuar për mesfushorin duket të jetë Beshiktashi. Siç raportojnë mediat italiane, gjigantët turk, janë shumë pranë marrëveshjes për lojtarin, ku ditën e sotme kanë pasur një takim me agjentin e tij. Mbetet për t’u parë në rast se Milani do ta lëshojë në huazim apo përfundimisht.