Sipas asaj që është raportuar nga “Corriere di Roma”, Arsenali po përshpejton tratativat për portierin kuqezi, Thomas Strakosha. Strakosha ka qenë një lojtar shumë i rendesishëm për Lacion, që kur ai i mori vendin e titullarit Federio Marketit.
Me Pitër Çeh që u tërhoq nga futbolli, Arsenali është në kërkim të një portieri të ri dhe Strakosha shihet si njeriu i duhur për të qenë numri 1. Por nuk janë vetëm “Topçinjtë” e Londrës ata që kërkojnë shërbimet e gardianit kuqezi.
Edhe ekipi tjetër londinez, Totenhemi është vënë në ndjekje të kartonit të 24-vjeçarit, madje thuhet se “Gjelat” janë favoritët për firmën e tij. Megjithatë, Lacio nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e Strakoshës.
Drejtuesit lacialë i kanë vendosur një çmim të kripur portierit shqiptar. Në rast se skuadrat londineze duan shërbimet e tij, duhet të paguajnë minimalisht 30 milionë euro, një shumë që si Arsenali, ashtu dhe Totenhemi, e konsiderojnë të lartë.