Derbi është i veçantë, por ka dhe raste kur është po ashtu dhe i çuditshëm. Normalisht që ndeshjet e mëdha kanë specifikat e tyre të ndryshme, por kur bëhet fjala për derbin gjithçka shihet me një tjetër sy dhe analiza bëhet e detajuar.
Më poshtë do ju sjellim pesë arsyet se pse ky derbi nuk është si gjithë të tjerët, madje mund ta konsiderojmë edhe të çuditshëm. Duke nisur që nga portierët e deri te renditja, situata në takimin e 151-të mes Partizanit dhe Tiranës nuk është e zakontë.
- Nga minuta e parë pritet që sot të zbresin në fushë Dashamir Xhika dhe Alesio Abibi. Në fillimin e sezonit, të dy konsideroheshin si portierë të dytë, por situata ka ndryshuar. Alban Hoxha ka kaluar disa probleme me ligjin dhe natyrshëm që në klubin e “demave” është përjetuar jo mirë fakti që kapiteni i skuadrës është shoqëruar në ambientet e paraburgimit, për shkak se është ndaluar duke garë makinën në gjendje të dehur. Trajneri Gega veçoi në konferencën për shtyp se Hoxha nuk do të ishte titullar, çka u nënkuptua edhe nga fakti se në konferencën për shtyp ishte Bleica, lojtari i cilil do të jetë kapiten sot. Në anën tjetër është Abibi, i cili ka marrë fanellën e titullarit, duke ulur në stol Ilion Likën. Paraqitjet jo të mira bënë që Lika të bisedonte me drejtuesit dhe të merrej vendimi që të linte radhën për Abibin. Në derbin e shkuar kishim një Lika-Hoxha në distancë, në këtë derbi me shumë gjasa nuk do ta kemi.
- Në derbin e fundit spektakli në fushë mungoi dhe duhet të jemi realist për këtë gjë, por në anën tjetër askush nuk e vuri re mungesën e rasteve në fushë, pasi për të dhuruar spektakël menduan tifozeritë. Pjesa më e madhe e stadiumit do të jetë veshur me ngjyrat e kuqe, por nëse “Guerrils” i kanë përgatitur surprizat e tyre, është paralajmëruar mungesa nga “Fanatics”-at. Do të jetë jo normale që të shohim vetëm njërën nga tifozeritë që të dhurojë “show”.
- Nëse dëgjojmë trajnerët në Shqipëri, gjithnjë vënë theksin se u mungon një sulmues “race” apo një ”gjahtar goli”. Kjo sëmundje është edhe te ekipet e kryeqytetit. Te Partizani, rolin e sulmuesve e plotësojnë mesfushorët me Telushin që ka shënuar 3 herë, ndërsa pas tij janë Asani, Bardhi e Mensah me 3 gola, ndërsa në fund është Mala me 2 realizime. Ky i fundit ishte dhe “heroi” në derbin e fundit. Në krahun tjetër është Tirana që i falet Blazhevskit dhe Sentamus me nga 3 gola. Maqedonasi nuk ka luajtur për shumë ndeshje, por sot do të rikthehet. Në këtë pikë skuadrat duket se janë në një njëjtat “ujëra”.
- Lideri është një punë që jo çdokush mund ta bëjë. Ndoshta shumëkush mund ta mësojnë, por nuk është diçka dhe aq e lehtë. Pas shumë kohësh, pas një beteje me jetën, Gentian Muça do të rikthehet të jetë në stolin bardheblu. Tekniku Mema theksoi në konferencën për shtyp se mbrojtësi nuk është gati për të dhënë kontributin e tij në fushën e blertë, ndaj në këtë përballje do të jetë pjesë e stafit, ama vetëm për këtë ndeshje. Prezenca e tij e ndihmon skuadrën nga ana psikologjike. Rikthimi i tij në një derbi pas kaq shumë kohësh është një e veçantë e bukur për sfidën e 151-të mes Partizanit dhe Tiranës.
- Situata në dy skuadrat e kryeqyteti është krejt e kundërt. Partizani udhëheq kampionatin dhe ka pretendimi madhore këtë edicion. “Demat” kanë pësuar vetëm 3 humbje këtë sezon dhe kanë treguar se janë një ekip kompakt. Bardheblutë në anën tjetër duket se do të luftojnë edhe këtë edicion, pasi në 14 javë nuk kanë marrë më shumë se 2 fitore. Gjithsesi, kur luhet derbi askush nuk e sheh renditjen, pasi luhet për më shumë se tre pikë, edhe pse Gega e Mema nuk janë në të njëjtin mendim, me të drejtë pasi kanë objektiva për të arritur, por për tifozët, ky takim nuk është vetëm një ndeshje e radhës, pasi luhet dhe krenaria në mes. Tirana nuk fiton prej vitesh, Partizani mburret prej kohësh, po pas 90 minutave të sotme kush do të ulë kokën?