Merkatoja e janarit po afrohet dhe klubet po përgatiten, duke nisur që tani me kontaktet e para me klubet dhe lojtarët përkatës. Brazili, është një ndër vendet ku mund të synohen shumë talente, sidomos në muajin janar, pasi kampionati vendas përfundon në muajin dhjetor.
Arsenali dhe Çelsi duket se “grepat” e tyre i kanë hedhur pikërisht në Amerikën Latine, konkretisht tek ekipi i Atletiko Mineiros. Klubi brazilian po përballet me disa probleme financiare dhe merkatoja e janarit pritet të sjellë shumë largime nga ekipi, sidomos lojtarët që shihen me të ardhme. Një prej tyre është mbrojtësi i djathtë, Emerson.
Talenti 19-vjeçar, i cili ka bërë një sezon mjaft të mirë me klubin bardhezi, duket se ka zgjuar interesin e Arsenalit dhe Çelsit, të cilët duan ta kenë në ekipin e tyre Emerson që në janar. Sipas asaj që raportohet nga mediat angleze, skautë nga të dyja ekipet kanë qenë të pranishëm në ndeshjen e fundit të luajtur nga Mineiro në shtëpi.
Klubet londineze janë të gatshme të paguajnë deri në 8 milionë sterlina për shërbimet e 19-vjeçarit, por kjo ofertë mund të rritet, pasi kërkesat e klubit brazilian janë më të larta për djaloshin e talentuar.