Sokol Cikalleshi nuk ishte pjesë e listës së Kristian Panuçit për ndeshjet e muajt mars. Një dëmtim i pësuar dy javë më parë i privoi kavajasit mundësinë për t’u rikthyer në kombëtaren shqiptare pas thuajse një viti.
Sulmuesi, i cili luan prej vitesh në Turqi ishte ftuar në lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, ku foli për kundërshtarin tonë të ardhshëm.
DËMTIMI – “Jam në fazën e rikuperimit. Para dy javësh pësova një tërheqje muskulore që më ka lënë një muaj jashtë. Fatkeqësisht ndodhi në një moment të keq për mua, si në aspektin personal, por edhe në atë të klubit e kombëtares. Futbolli i ka këto dhe duhet t’i presim me qetësi. Mendoj se do rikthehem me ekipin nga fundi i marsit”.
LISTA E TURQISË – “Duke qenë se kam qenë pjesë e Bashakshehir, në listën e trajnerit Shenol Gynesh janë katër, pesë miq të mirë të mitë. Në listë ka dhe një rikthim të bujshëm si Emre. I çova një mesazh për ta uruar për rikthimin në kombëtare pas disa vites, por natyrisht më pas i thash që në ndeshjen ndaj Shqipërisë nuk i uroj sukses. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Shpresoj që të bëjmë një fillim të mirë”.
“Dy vitet e fundit kombëtarja turke ka pasur shumë ulje e ngritje. Ndoshta ndodh edhe prej faktit se janë në një periudhë tranzicioni. Megjithëse trajneri Gynesh ka rikthyer disi gardën e vjetër. Mendoj se situata mund të jetë në favorin tonë, pasi në listën e Turqisë nuk është lojtari i tij më i mirë, sulmuesi i Romës Xhengiz Ynder”.
SULMUESIT NË KOMBËTARE – “Normalisht më vjen mirë për Armando Sadikun. Kaloi një dëmtim të gjatë, për ne futbollistët dëmtimi është gjëja më e padëshiruar, sikur nga priten krahët. Sigurisht që do të doja të isha pjesë e listës, por dëmtimi ma bëri të pamundur. Jam i sigurt që djemtë e tjerë në sulm do të bëjnë të pamundurën për të marrë një rezultat pozitiv”.