Dëmtim serioz, Mavraj shqetëson Ingolshtadin dhe kombëtaren

0

Mërgim Mavraj ka probleme. Qendëmbrojtësi i kombëtares, i graduar edhe kapiten së fundmi, nuk ishte në fushë në takimin që Ingolshtadi fitoi me Duisburgun dhe do të vijojë të mungojë. Shkak është bërë një dëmtim i pësuar. Konkretisht ai ka thyer dy kocka pranë legenit dhe pret të rikthehet muajin e ardhshëm.

Një përplasje në ndeshjen me Sandhauzen ka sjellë këto pasoja te shtatlarti i mbrojtjes kuqezi. “Të them të drejtën, nuk e dimë saktë se kur mund të kthehem në fushë. Jam duke shtrënguar dhëmbët, shpresoj të kem përmirësim, sepse në këtë moment nuk luaj dot”, tregon Mavraj për Telesport.

Më tej ai shton: “Po bëj injeksione dhe jam duke u stërvitur, edhe pse me ngarkesë jo të plotë dhe duke bërë shumë kujdes. Mjekët më kanë thënë që dhimbjet do ikin me kalimin e kohës, por vështirë se mund të kthehem në fushë deri në fund të prillit. Për 2-3 javë ndoshta do të më duhet të qëndroj jashtë, pastaj do të bëj gjithçka për të luajtur”.

Mbetet për t’u parë nëse do të jetë me kombëtaren në ndeshjen e kombëtares kundër Moldavisë, në Shqipëri. Kundër Islandës mungesa e tij është e sigurt, pasi është i pezulluar për kartonin e kuq që mori kundër Skocisë në Nations League.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.