Nevil Dede, një kampion me Tiranën, e di shumë mirë se çfarë është derbi. Ish-kapiteni i bardhebluve përshkruan këtë përballje, që e konsideron me të drejtë një si një vitrinë për futbollin shqiptar. Ai shikon si pikën më të fortë të 24 herë kampionëve të vendit trajnerin Ardian Mema dhe shikon bardheblutë si favoritë për të fituar.
PRITSHMËRITË – “Mendoj që do të prodhojë mbi të gjitha emocione. Derbi të jep një kënaqësi të veçantë. Madje edhe ata që nuk janë tifozë me këto dy ekipe, mezi e presin. Bën lajm dhe mbi të gjitha është vitrinë e futbollit shqiptar. Gjithë historia fillon me këto dy skuadra dhe shpërndahet më pas tek të tjerët”, është shprehur Dede në një intervistë të dhënë për Supersport”.
PIKA MË E FORTË – Trajneri i Shqipërisë U19 te Tirana veçon trajnerin Mema si pikën më të fortë: “Unë mendoj që trajneri Mema ka krijuar harmoni, grupi po funksionon dhe po kupton gjuhën që flet trajneri. Mbi të gjitha po i përgjigjet Memës. Kjo është arma më e fortë e Tiranës”.
PROBLEMI – Mbrojtja ka çaluar shpesh në kampion bardheblu dhe Dede nuk ngurron ta thotë diçka të tillë: “Unë dua të jem i sinqertë. Tirana ka pak probleme në mbrojtje. Nëse nuk merr gol, atëherë do të jetë e thjeshtë për Tiranën. Kjo pasi nuk ka më asnjë pikë të dobët”.
EKIPI FAVORIT – “Tirana luan edhe pa ndonjë trysni të madhe, pasi ka krijuar diferencë në luftën për mbijetesë. Ky është avantazhi më i madh. Plus që luan në shtëpinë e vet do të ketë më shumë tifozë. Derbin e fiton Tirona se është Tirona”.
DERBI PA POLICI – “Kjo është një ndeshje për të gjithë, për ta shijuar të gjithë. Të gëzojnë të gjithë dhe realisht të kuptojmë se edhe ne kemi futboll. Domethënë me këtë derbi ndjehemi të gjithë të kënaqur kur shkojmë dhe duam të jemi pjesë e saj. Nuk mendoj se do të ketë histori të tilla, të gjithë po e presin dhe sido që të jetë rezultati, të gjithë do ta shijojnë. Pavarësisht rezultatit, të gjithë do ta shijojnë këtë sfidë”.