Kotorri besimplotë: Nuk tërhiqemi, kemi shanse për mbijetesë

0

Në ndeshjen përmbyllëse të fazës së dytë, Elbasani morri një barazim ndaj Tomorit. Jo se e gjeti skuadrën beratase në një situatë të vështirë pas dënimeve të shumta që ju dhanë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, por se skuadra e Elbasanit ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë.

Madje, trajneri Elvis Kotorri deklaron se atyre u ka ikur fitorja nga duart, pasi ishte skuadra e tij që e menaxhoi më mirë këtë takim dhe pësoi golin e barazimit në minutën e 85-të. Për SportEkspres.com trajneri i verdhebluve deklaron se ky barazim tregoi forcën e vërtetë të Elbasanit.

“Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë në Ballsh, e vumë në vështirësi Tomorin dhe prisnim që të dilnim nga ‘Adush Muça’ me fitore. Pësuam gol në fund, por gjithsesi skuadra tregoi rritje në lojën e saj, tregoi forcën e vërtetë të Elbasanit”, theksoi trajneri i Elbasanit.

Për fazën e tretë tekniku Kotorri nuk e mohon vështirësinë, por përgjysmimi i pikëve i bën që të besojnë më shumë te mbijetesa. “Pas barazimit me Tomorin, skuadra më duket shumë më e motivuar, më e saktë në veprimet e saj në fushë. Ndaj edhe besoj shumë se në fazën e tretë do të bëjë më shumë për mbijetesën. Ne nuk do tërhiqemi, shanset janë në fushë në tetë ndeshjet që do luajmë”, përfundoi ish-portieri i verdhebluve.

AGRON KAJA

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.