Për të rrëzuar Juventusin nga froni i kampionatit italian është shumë e vështirë, ndërsa me ardhjen e De Ligt bëhet pothuajse e pamundur. Kështu mendon Fabio Kapelo, një ndër emrat e mëdhenj italianë të stolit.
73-vjeçari, i cili ka luajtur gjashtë sezone me bardhezinjtë dhe i ka drejtuar për dy të tjera nga stoli, e vlerëson shumë 19-vjeçarin holandez dhe e cilëson atë si ndër më të mirët në rolin e tij.
Me blerjen e kapitenit të Ajaksit, Kapelo është i bindur që nuk do të ketë sërish garë për titull në Itali dhe “zonja e vjetër” do të fitojë titullin e nëntë rresht.
“Nëse Juventusi merr De Ligt ka mbaruar gjithçka dhe nuk do të ketë garë për titull. Njësoj si vitet e kaluara dhe llogaritë fillojnë e bëhen për sezonin 2020/2021”, thekson Fabio Kapelo.