Matijs De Ligt ka dalë për herë të parë përpara mediave si lojtar i Juventusit. Mbrojtësi 19-vjeçar do të formojë një dyshe fantastike me Kielinin, duke “blinduar” mbrojtjen e bardhezinjve.
Holandezi komenton zgjedhjen e tij dhe ndikimin e kërkesës së Ronaldos pas finales së Ligës së Kombeve. Më pas një koment për Mauricio Sarrin. Trajneri ishte një prej shkaqeve kryesore që e bindën të transferohet te kampionët e Serie A.
JUVENTUSI – “Vij nga aventura me Ajaksin, aty ku kam luajtur shumë dhe kam krijuar eksperiencë pavarësisht se jam vetëm 19 vjeç. Dua të mësoj nga lojtarët më të vjetër përt t’u rritur akoma edhe më shumë. Juventusi është hapi i parë që hedh jashtë vendit tim, por ka qenë një nder i madh për mua të vij këtu dhe jam i lumtur për entuziazmin e krijuar nga tifozët.”
FTESA E CR7 – “Fakti që një lojtar si Kristiano të kërkon të luash në një ekip me të të bën të ndihesh shumë mirë, por nuk ishte kjo që bëri diferencën te transferimi im te Juventusi. Doja vetëm të pushoja dhe të mendoja me qetësi për të ardhmen time, por e dija që do të vija këtu.”
SARRI – “E vërtetë, kemi biseduar në telefon së bashku. Ai është një nga motivet pse doja të vija te Juventusi. Ishte një motiv shumë i fortë që ndikoi në vendimin tim. Foto me bluzën e Juves? Adhuroja Kanavaron kur isha i vogël dhe ai ishte një nga idhujt e mi.”
OBJEKTIVAT – “Me Superkupën bëhen katër kompeticione dhe ne duam të fitojmë gjithçka. Të shohim se çfarë mund të bëjmë. Juventusi dëshiron të fitojë gjithmonë dhe ne do e provojmë. Italia është një vend me traditë në repartin defensiv. Kjo është një sfidë e madhe për mua, ndërsa klubi tregoi se ka besim të madh tek unë. Ka shumë shkaqe pse zgjodha bardhezinjtë, por në fund vendosi ndjesia që më ka dhuruar kjo skuadër në lidhje me të tjerat.”