Aurelio De Laurentis është një person që nuk përton të krijojë debate dhe të flasë ashtu si mendon. Kjo sjell reagime të ndryshme, por kreu i klubit napolitan e ka gjithmonë një argument. Së fundmi ai është ndalur te trajneri Ançeloti dhe ka lëshuar thumbimin e radhës për Mauricio Sarrin.
“Ançeloti është një person i shkëlqyer, i cili ka hyrë gabimisht në botën e futbollit. Ai do të kishte bërë gjëra të jashtëzakonshme dhe në sektorë të tjerë të jetës, sepse është një njeri i qetë, nuk e njeh hakmarrjen dhe shpreh ekuilibër dhe ekuilibri është një virtyt i rrallë”, shprehet De Laurentis për “L’Equipe”.
Ai rikthehet të flasë dhe për ish-teknikun Sarri. Ai afroi një futboll të bukur, por nuk vlen, sepse nuk fitoi asgjë.
“Nga sezoni i kaluar mbetet shija e kënaqësisë që luajtëm një futboll të bukur, por edhe hidhërimi që nuk fituam. I dhuruam Sarrit gjithçka i nevojitej, por në tri vite nuk fituam asgjë” përfundon presidenti i Napolit.