De Biazi: Tifozët tani të ndihmojnë Panuçin, uroj të bëjë më mirë se unë!

“Presidenti Duka mbeti i impresionuar nga Kristiani, që ka cilësi dhe besoj te ai. Do ta takoj dhe do t’i parashtroj panoramën, por s’mund t’i jap unë këshilla apo sugjerime. I ri? Pak rëndësi ka, duhet edhe fati”

Anton Cicani
Me trup larg, por me mendje pranë… Xhani de Biazi “voton” Panuçin, ashtu sikurse bëri edhe Armand Duka, presidenti i federatës shqiptare të futbollit. Natyrisht, edhe kandidatët e tjerë ishin pjesë e pëlqimit të “Ganiut”, ndaj kjo nuk ndryshonte shumë. Pesë vjet e gjysmë, thuajse gjashtë, s’mund të fshihen në një muaj, ndaj De Biazi preferon që të ndalet dhe të flasë për pasuesin e tij. E bën me qetësi, me optimizëm dhe duke i dhënë besim. Fundja, ashtu e nisi edhe ai… Por, trajneri italian “zhvesh” petkun e sponsorit për ish mbrojtësin e Milanit, Romës, Real Madridit dhe Çelsit, pasi ishte zgjedhje “ekskluzive” e Dukës, preferon të thotë.

Ndryshe nga konferenca juaj e parë për shtyp, ku kërkuat që të ndryshonte trendi dhe të vinte revolucioni, më pas rezultatet, Panuçi e ka nisur me një premtim “boom”: kualifikimin në Euro 2020, duke e thënë edhe në formë batute “s’do më zërë gjumi deri sa ta arrij”. Si e shihni këtë deklaratë?
Normale, në kornizën e përgjithshme. Mos prisnit që Panuçi të thoshte do luftoj për të dalë në vend të parafundit ose të tretë? Nuk besoj, sepse ndryshe s’do të thërritej aty. Ambicjet janë të rëndësishme në futboll. Por, do të shihet nga shumë gjëra, që nga shorti në grup, kë do të kemi kundërshtar. Sepse nëse kemi gjithmonë Spanjë dhe Itali përballë, atëherë bëhet e vështirë, shumë e vështirë…

Ju djeg ende ai short?
Sigurisht, kapëm më të fortët absolutisht. Edhe Izraeli me Maqedoninë s’janë të lehta. Por, megjithatë, iku tashmë. Ndaj them që, ndonjëherë të duhet edhe pak fat.

Si ju, ashtu edhe presidenti Duka, teksa pyeteshit për identikitin e trajnerit të ri të Shqipërisë, flisnit për një figurë me eksperiencë, ndaj zgjedhja e Kristian Panuçit duket disi sikur befason… Si e komenton Xhani de Biazi?
Panuçi është zgjedhur nga presidenti Duka sepse e goditi në bisedën e parë, saqë edhe ma tha vetë presidenti: e zgjodha sepse të ngjan shumë ty si karakter. Vendosi ai, sigurisht. Ishte i bindur për atë që po bënte dhe unë e mbështesja, ashtu sikurse kisha dhënë mendimin tim për Zengën, Sedorfin, Malezanin. Për të tjerët s’kam folur. Më vjen mirë për Kristianin, sepse është i ri dhe ka dëshirë. Mendoj se mund t’i japë vazhdimësi punës time, në thuajse 6 vjet. S’do ta ketë të lehtë, por kush e ka?! Fundja, edhe unë kështu e nisa.

Në konferencën e prezantimit, Panuçi tha se ju falënderon që keni thënë fjalë të mira për të, ndërsa gjithashtu pranoi se do të bisedojë me ju për ndonjë këshillë të mundshme duke qenë se e njihni mirë grupin dhe ambjentin. Çfarë këshillash do t’i jepni?
Nuk besoj se do t’i duhen këshillat e mia, pasi ai vetë po studion kombëtaren e Shqipërisë, lojtarët dhe gjithçka tjetër. Ka parë video e kështu me radhë. Do të duhet të njohë lojtarët personalisht, por ka kohë. Ajo që ndoshta unë mund të bëj është t’i përshkruaj panoramën e përgjithshme, sa i përket cilësive jashtë fushe, karakterit, personalitetit, apo edhe dëshirës për të bërë grup. Taktikisht dhe teknikisht, vetë Panuçi do t’i vlerësojë. Jam i hapur ndaj çdo pyetje të tij, sepse dua ta ndihmoj, sigurisht.

A mund të ndikojë “hija” e Xhani de Biazit te aventura e Kristian Panuçit në stolin e Shqipërisë, ai stol tek i cili ju arritët të shkruanit historinë, duke tejkaluar edhe limitin që që prej themelimit të kombëtares qëndronte aty… Çfarë mund të bëjë Panuçi, të barazojë arritjen e De Biazit apo edhe ta kalojë, që të mbahet mend edhe më shumë?
Mendoj se është shumë e rëndësishme që Kristiani të bëjë atë që di t’i bëjë. Pra, të nxjerrë në pah cilësitë dhe grindën e tij. Dhe, fakti që synon menjëherë në Euro 2020 besoj se është motiv që lë për të kuptuar se sa i vendosur është. Më pas, do të duhen edhe shumë përbërës të tjerë, si fati. Nuk i mungon vendosmëria dhe kjo është e rëndësishme. i uroj çdo të mirë dhe që të bëjë akoma më mirë se Xhani de Biazi.

Historia e Panuçit i ngjan pak asaj të Tramexanit, që aventurën e tij në stol e nisi si ndihmës trajner te një kombëtare, por më pas ai preferoi të fokusohej në klube duke mos pranuar ftesën e Armand Dukës për stolin kuqezi të lënë bosh pikërisht nga ju… A mendoni se Panuçi rrezikon shumë duke hedhur këtë hap të madh, duke qenë se është vetëm 44 vjeç dhe ka ende shumë vite përpara për të krijuar përvojë?

Jo, nuk rrezikon dhe nuk ka asnjë disavantazh. Ka pasur dy përvoja në Serinë B, pra me Livornon dhe Ternanën, që nuk i kanë dhënë asgjë në asnjë aspekt. Ndaj, preferoi që, pas aventurës në Rusi me Fabio Kapelon, të pranonte ftesën e një kombëtare ku ai do të kishte mundësi të zgjidhte lojtarët dhe mundësi të ishte një pikë fikse dhe e rëndësishme e projektit. Mendoj se ky është aspekti thelbësor. Edhe rasti Tramexani tregon se pas përvojës si ndihmës, në aventurën e parë në stol si timonieri, bëri mjaft mirë te Lugano dhe do të jetë kështu edhe te Sioni, jam i bindur. Por, duhet të kesh cilësitë. Jo të gjithë i kanë, ose mund t’i kenë. Mendoj se Kristiani i ka këto cilësi dhe ka mundësinë që t’I vendosë në dukje.

Ka një grup lojtarësh që dikur luanin në klube të mëdha, po kur varën këpucët në gozhdë dhe nisën karrierën si trajnerë, mund të themi që dështuan. Mes tyre le të vendosim emrat e Klarens Sedorfit, Alesandro Nestës, Masimo Odos, apo edhe vetë Kristian Panuçit… Mos ndoshta duhet më shumë përvojë dhe ta nisësh nga kategoritë e ulëta për të fituar atë përvojë në menaxhim situatash, pasi s’është e thënë se një ish futbollist i mirë mund të bëhet trajner i mirë dhe e kundërta…
Nuk e di, sinqerisht. S’mund t’I përgjigjem kësaj pyetje, pasi çdokush ka një rrugë të tijën.

E megjithatë, duke i qëndruar këtij argument, Panuçi është shkarkuar në dy klubet e fundit, Livorno dhe Ternana, për rezultate jo të mira.
Nuk gjykohet një trajner nga rezultati, të paktën duke njohur rrethanat.Ka pasur dy realitete të veçanta. Livorno dhe Ternana. Por, ka pasur përvojë të rëndësishme me Kapelon, me të cilin ka bërë gjëra të shkëlqyera. Besoj se ka përvojën dhe personalitetin për të drejtuar grupin tonë. Ka ide të qarta dhe të kthjelltë. Mund të bëjë mirë dhe të çojë përpara projektin e nisur në 2012-ën.

Ka edhe diçka mister… Tifozët u mësuan “keq” me ju në stol dhe me Shqipërinë që luftonte si një trup, sidomos pasi arriti majën, duke shkuar në Europian. Me zgjedhjen e Panuçit, pjesa më e madhe e cilësojnë si një hap mbrapa dhe kanë rrudhur buzët.. Një koment, ose mesazh për ata?
Tifozët duhet të ndihmojnë kombëtaren që të rritet dhe të ndihmojnë trajnerin që të ketë dëshirë të madhe për të bërë mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *