De Biazi: Panuçi i pëlqeu Dukës, nuk ia këshillova unë

0

Natyrisht, pas zyrtarizimit të Kristian Panuçit në stolin e Shqipërisë nuk mund të mungonte një prononcim nga paardhësi i tij, Xhani De Biazi, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit shqiptar.

Në një intervistë për Supersportin, De Biazi komenton zgjedhjen e bashkëkombasit të tij, duke zbuluar se nuk ka qenë ai që e ka bindur Dukën ta punësojë Panuçin: “Të sqarojmë diçka. Nuk i këshillova askënd presidentit, por ai më tha që takoi disa trajnerë. Më tha që prej herës së parë kur u takua me Christian, ai i kishte lënë menjëherë përshtypje. Përpos futbollit, presidenti ka një eksperiencë të madhe dhe di t’i vlerësojë njerëzit me mjaft kujdes. Nëse zgjodhi Kristianin, ka parë tek ai cilësi për sa i takon menaxhimit të grupit, të situatave por edhe të eksperiencave që ka pasur në karrierë.

De Biazi është i bindur se Panuçi mund të bëjë gjëra të mira, përtej faktit që është i ri dhe me një CV më të varfër krahasuar me karrierën e lavdishme si futbollist: “Personalisht uroj që Panuçi ta kualifikojë Shqipërinë në Europianin 2020. Ka dëshirë dhe besoj që ka një grup lojtarësh të nivelit të mirë. Mendoj se do të jetë në gjendje ta menaxhojë me qetësinë e nevojshme. Kristiani është një person inteligjent. Ka nisur menjëherë të njihet me lojtarët, duke vëzhguar shumë ndeshje të tonat. Do të vijë të më takojë, që të diskutojmë.”

E ardhmja profesionale e De Biazit, ende e paqartë: “Këto ditë po bëj disa ditë pushime. U largova nga Shqipëri, pa pasur një skuadër konkrete në horizont. Pak ditë më parë u takova me përfaqësuesen e Australisë dhe vendimi merret pas shtatorit. Kam pasur disa biseda të tjera, por për sa kohë skuadrat paraqiten mirë, unë vazhdoj të jem me pushime.”

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.