De Biazi na jep lamtumirën: Mbyll kualifikueset dhe iki me kokën lart

Trajneri Xhani De Biazi ka dalë sot para gazetarëve në selinë e FSHF-së, duke folur për të tashmen dhe sidomos për të ardhmen e vet. Italiani ka zyrtarizuar se në fund të edicionit do të largohet, nuk ka më hapësira rinovimi. Dukshëm i zhgënjyer, De Biazi ka ngritur gishtin ndaj atyre që i kishin bërë gati funeralin, pa sqaruar për cilët persona e kishte konkretisht.

Çfarë ndryshoi në ndeshjen e fundit, në Izrael, pas 5 humbjesh rresht?

Më shumë bindje e vendosmëri, qasje ndryshe në krahasim me miqësoren kundër Luksemburgut. Kemi luajtur mirë edhe ndaj Italisë e Spanjës, por ato janë skuadra të një dimensioni tjetër.

E ardhmja e De Biazit?

Nuk duhet të flas me askënd, as me median. Kam pesë vite e gjysmë këtu, nuk duhet të jap shpjegime, tani më njihni. Kur të vendos, do të flas dhe do të shpjegohem, tani nuk kam asgjë për të thënë.

Rinovimi?

Ka situata në jetë kur dikush duhet të ndiejë rreth vetes besimin e konsideratën që besoj se nuk e kam nga disa persona. Nëse Federata e donte De Biazin, s’duhej të priste pa fund. Tani do presim fundin e kontratës. Joakim Lëv rinovoi 4 vite para mbylljes së kontratës. Prisja një sjellje ndryshe pas Europianit, nuk më erdhën sinjalet që prisja. Kur humbasim, humbas unë, kur fitojmë, fitojmë të gjithë.

Mesazh për Dukën?

Jam ndierë shumë mirë me të, kam pasur raport special, është person me të cilin ia kam kaluar shumë mirë. Aspekti sportiv e njerëzor ecin paralel, në aspektin njerëzor kam bërë gabime që nuk dua t’i përsërit. Nuk ka krizë me Dukën, më vjen keq që fituam në Izrael dhe nuk dolën parashikimet e atyre që prisnin largimin tim dhe ma kishin bërë gati funeralin. Më vjen keq që një trajner gjykohet vetëm nga disa humbje rresht. Sa të jem këtu, do të jap 110%, në çdo drejtim, në lidhje më kombëtaren.

Tani është vonë për federatën, ç’do të thotë?

Pas ndeshjes në Izrael mendova se aventura ime mund të kishte mbaruar para kohe, nëse humbnim. Tani aventura ime ka mbaruar, në fund të kontratës do të largohem, do të kërkoj diçka të re. Ka një cikël për trajnerin, fillim dhe fund, në çdo marrëdhënie ka një fund. Shqipëria nuk ka nevojë për shumë ndryshime. Ndoshta unë prisja disa gjëra që nuk ndodhën, ndaj gjithsecili merr vendimet që i duken më të drejta për të ardhmen.

Kush ka fituar më shumë, De Biazi apo Shqipëria?

Nuk ka rëndësi, është si historia kush doli e para, veza apo pula. Kam marrë përgjegjësitë përkatëse. Presidenti pati besim te unë, kemi bërë gjëra të mira, puna ka qenë e tillë që na çoi ku mbërritëm.

A ishit i lumtur pas Izraelit?

Difekti im është që nuk i fsheh dot emocionet. Pas Izraelit isha shumë i lumtur, sepse prisha pritshmëritë e dikujt që priste largimin. Së dyti, u lumturova që skuadra largoi ata 3 cm pluhur nga truri dhe u kthye e zakonshmja, si e Europianit, me atë frymë e mobilizim. Atmosfera para Izraelit ishte e zymtë dhe e trishtueshme, pasi kishte presion të madh dhe kishte shumë persona që prisnin dështimin tim. Pas fitores m’u shtuan miqtë, mesazhet, rrahjet e shpatullave, por këto duhet të ndodhin kur humbet, aty dallohen miqtë.

Divorc që tani, duke parë që lajmërove largimin?

Nuk e di, duhet të flasim me presidentin. Kemi edhe 4 ndeshje, dy prej tyre të pamundura. Mund ta mbyllim edhe me 15 pikë dhe do të ishte arritje e madhe.

I keqardhur, apo i zhgënjyer nga kush?

Unë jam shumë i kënaqur, sepse fitorja në Izrael na hoqi një barrë të madhe. Humbja ndaj Izraelit ishte e veçantë, e çuditshme, njolla e vetme në një ecuri normale për ne. Keqardhja është që skuadra nuk ka bërë hapa të tjerë përpara, pas Europianit. Qëndrova, rrezikova, me shpresën se do të përmirësoheshim edhe më shumë.

Kush kënaqet për humbjet e De Biazit?

Ndoshta ka njerëz që duan një trajner tjetër, atmosferë e re, lajme të reja, personazh i ri, gjuhë apo dialekt i ri. Ndoshta një trajner i ri do të stimulonte të gjithë.

Sportivisht arritët kulmin, po nga ana financiare?

Në një federatë tjetër do të isha më i pasur, por në Shqipëri nuk erdha për paratë, që ishin shumë më pak se ç’merrja më parë. U kualifikuam në Europian dhe besoj se i kam merituar paratë. Federata ka fituar shumë, në krahasim me sa ka shpenzuar, ka bërë një biznes të mirë.

Tratativat me Italinë, korrekte kundrejt Shqipërisë?

Ishte periudha pas Europianit, ku kisha mundësi të largohesha qetësisht, duke arritur një objektiv madhor. Pata kontakte me shumë federata, zgjodha të qëndroj, Italia zgjodhi rrugë tjetër dhe vazhdova punën, duke refuzuar edhe oferta milionere, ndaj në këtë drejtim jam i pasulmueshëm.

 De Biazi largohet për çështje financiare, apo mungesë ambiciesh në Shqipëri?

E thashë, është evolucion natyror në një marrëdhënie, ka fillim dhe ka fund, si gjithçka në jetë. Largohem krenar, jo për probleme financiare, por për një fund normal. Iki me kokën lart.

A jeni ndier i tradhtuar nga ndokush?

Jo, jam ndier mirë me të gjithë. Edhe Bushi e Bogdani besoj se kanë mësuar diçka duke punuar me mua. Kam bashkëpunuar me të gjithë, me shpirt të madh skuadre, sepse e di që në grup shkohet përpara. Ndonjë lojtar ka vendosur në plan të parë interesat personale, por janë gjëra normale, trajneri vendos.

Aventura shqiptare, si e vlerësoni?

Kam njohur një pjesë tjetër të futbollit ndërkombëtar, erdha me shumë paragjykime, por kam njohur shumë gjëra të reja në Shqipëri, jam shumë i kënaqur. Një aventurë e bukur, u rritëm gradualisht së bashku, edhe pse së fundi erdhën 5 humbje rresht. Në periudhën time kemi pasur një ecuri të respektueshme, u ngjitëm shumë lart në renditjen e FIFA-s, si kurrë në histori.

Pse qëndruat pas Europianit?

Do ishte normale të ikja, si fitues, por qëndrova, rrezikova, preferova të vazhdoj këtë projekt, duke marrë më të mirën nga një grup i shkëlqyer lojtarësh dhe duke e çuar Shqipërinë në nivele të jashtëzakonshme.

E ardhmja, klub apo kombëtare?

Nuk e di, varet. Humbja ndaj Luksemburgut më dëshpëroi, e kisha lakun në fyt, doja të braktisja gjithçka e të ikja. Më pas, për disa ditë punova me mendjet e lojtarëve, që ishin edhe të lodhur nga sezoni i gjatë, kishte lojtarë që kanë luajtur rreth 50 ndeshje. Përdora grushtin, dorën e fortë, për të motivuar dhe zgjuar lojtarët, pasi duhej rinisur rrugëtimi dhe kjo makinë që kemi ndërtuar duhej rivënë në lëvizje, sepse nuk ecte më vetë, me marsh automatik.

Ofertat nga jashtë, a kanë ekzistuar vërtet, apo oferta shqiptare për rinovim ishte e ulët?

Shpresoja që Europiani të na jepte bindjen që ishim rritur, ishim te të mëdhenjtë. Kundër Izraelit në Elbasan erdhi pika e thyerjes, sepse aty pësuam humbjen që na largoi përfundimisht nga kreu. Ofertat nga jashtë? Qëndrova se kisha një projekt që duhej çuar përpara. Nuk kam pse të komentoj zërat mediatike, aludimet. Ofertat kanë ardhur më parë, i kam refuzuar. Tani nuk kam ndonjë ofertë në tryezë, nuk iki për këtë arsye.

A ka pasur momente ku De Biazi mendon se ka gabuar?

Po, si të gjithë, por nuk mund t’i them të gjitha tani.

Nënshtetësia shqiptare?

Jam krenar që presidenti Nishani më dha pasaportën. Jam i lumtur që jam shqiptar, ndihem i pranuar nga ky vend, është një vlerësim i madh ndaj meje dhe çdo trajner shpreson të ndihet i integruar.

Kush e kishte bërë gati funeralin tuaj? A keni fituar kundër intrigave?

Rëndësi ka që ta di unë. Intrigat? Duhet ta dini ju më mirë se unë, ka shumë fjalë këtu, ka njerëz që dinë gjithçka, dinë edhe rezultatet pas ndeshjeve.

A do të ktheheni për pushime në Shqipëri pasi të jetë larguar nga posti i trajnerit?

“Pse jo? Nëse më ftoni, vij. Shpresoj që po, mund të ishte e bukur, duke shpresuar që nuk jam i impenjuar në Kinë (qesh). Por janë gjëra që nuk i kam thënë asnjëherë, i lexoj nga mediat. Kapelo më ka zënë vendin te Zhiangsu në Kinë? 10 milionë euro! Mua më japin vetëm një!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online