Dani Alvesh do të jetë një nga mungesat e mëdha të kësaj premiere të Champions për ekipin e PSG. Francezët përballen me Liverpulin në transfertë, ndërsa pjesë e grupit të frikshëm është dhe Napoli i Ançelotit. 35-vjeçari brazilian vjen nga një dëmtim që e mbajti larg fushave duke humbur dhe Botërorin e Rusisë, por ai është drejt rikthimit. Anësori i krahut të djathtë ka folur për “Marca”, ku prek disa tema.
Që nga objektivi i PSG, trajneri i ri, Tomas Tuhel, te largimi i Kristiano Ronaldos nga Reali i Madridit. Alvesh mendon ndryshe nga opinioni i gjerë për Realin e Madridit dhe shpjegon se pse nuk është habitur nga vendimi i portugezit për t’u larguar drejt Juventusit.
Objektivi Champions – “Realizimi i objektivit të klubit nuk është aq i komplikuar sa mendohet, por është e nevojshme për të bërë ndryshime, të kesh një shpirt skuadre ndryshe dhe një mentalitet tjetër. Ketë vit kam ndjenja pozitive. Gjërat po përmirësohen nga brenda ekipit. Disa gjëra po ndryshojnë për mirë dhe njerëzit po e kuptojnë se për çfarë ka të bëjë kjo lojë futbolli.”
Rikuperimi – “Ndihem mirë, ishte momenti më i vështirë në karrierën time, por dhe shumë impenjativ. Luaj prej 20 vitesh, por diçka e tillë nuk më kishte ndodhur kurrë. Ishte e dhimbshme, sepse humba gjëra të rëndësishme. Ndoshta jeta po më vë në provë, por do të tentoj të përgjigjem ashtu siç kam bërë gjithmonë.”
Tuhel – “Trajneri më pëlqen, ka një shpirt të pabesueshëm. Ai ka ndryshuar shumë gjëra, sa i përket shpirtit të skuadrës dhe mentalitetit. Kemi një sfidë të madhe përpara dhe ndodhemi në një grup të fortë me rivalë të mëdhenj, por që na jep mundësinë të matim forcat që në fillim.”
Reali pa Ronaldon – “Unë mendoj ndryshe nga shumica. Pa Kristianon, Reali është një skuadër më e vështirë për t’u përballuar. Më parë ata bazoheshin te Ronaldo, por tashmë janë më të rrezikshëm, të paktën nga syri se si e shoh unë futbollin dhe mendoj që kuptoj diçka nga kjo lojë. Ronaldo është një humbje e tmerrshme, por Reali mbetet Reali dhe ata janë më shumë skuadër se sa ishin.”
Sfidat e reja – “Njerëzit duan sfida, vazhdojnë të ndihen të gjallë dhe kanë nevojë për sfida të reja. Për ketë fakt unë nuk surprizohet nga largimi i Kristianos. Ai qëndroi gjatë të Reali, arriti gjëra të mëdha me klubin dhe vendosi të ndryshonte ambient. Të njëjtën gjë bëra dhe unë kur isha pjesë e Barcelonës. Luftëtarët e vërtetë kanë nevojë për sfida të reja dhe nuk kanë nevojë për rehati.”