Ilir Daja e ka një ndeshje të veçantë këtë me Skënderbeun. Nesër, prej orës 19:45, Flamurtari i tij do kërkojë tre pikët. Trajneri kryeqytetas ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe ka folur për ekipin e tij dhe kundërshtarin.
Skënderbeu e Flamurtari kanë grumbulluar nga 7 pikë në tre ndeshjet e para, gjë që komentohet nga ana e Dajës kështu: “Kemi bërë dy transfertë, ndryshe nga Skënderbeu që ka luajtur në shtëpi. Vijnë si favoritë, për shkak se janë kampionët në fuqi, si dhe kanë një ekip të konsoliduar. Edhe të rinjtë kanë qenë pjesë e ekipit vjet, përveç Bregut. Ai është një sulmues anësor që mund të integrohet më shpejt, sesa një tjetër më cilësor”.
“Nuk e them këtë për nga cilësia që zotëron ekipi i Skënderbeut, por nga mendësia që ka si një ekip që vijon rrugëtimin prej kohësh. Nuk na justifikon asgjë, e vlerësojmë për të gjithë këto elementë. Do respektojmë veten më shumë, pasi kemi edhe një plus të madh që është mbështetja e tifozëve. Jemi një grup i ri, por dëshira për të fituar do jetë në nivele maksimale. Sigurisht pa humbur logjikën e lojës”, deklaroi Daja.
Është vetëm java e katërt e kampionatit dhe i pyetur nëse do kishte dashur që të përballej me Skënderbeun në një moment tjetër, trajneri i Flamurtarit deklaroi: “Nëse do ishte më vonë, ndoshta do kishim më shumë elementë në dispozicion. Nesër nuk kemi Allën që është i dëmtuar. Alvesh ka pak ditë me grupin dhe do kohë të përshtatet. Grupi ka lojtarë me eksperiencë, që kanë mentalitet fituesi. Nëse nesër veprojmë në grup, me dëshirë dhe mbështetjen e tifozëve, besojmë se do të bëjmë diçka të mirë”.
Në fund nuk mund të mos komentohet edhe fakti që Daja e njeh Skënderbeun: “Lojtarët njohin një pjesë timen si trajner, sikurse njoh edhe unë karakteristikat e tyre individuale. Sikurse dihet deri para pak muajsh kemi punuar së bashku. E di që është ndeshje e vështirë, pasi po t’i referohemi kampionatit të kaluar ata kanë një mendësi më pozitive për shkak të përballjeve direkte me ne. Por jemi të motivuar për t’i ndryshuar gjërat dhe kjo është shumë e rëndësishme. E thashë, kemi lojtarë me eksperiencë dhe dëshirojmë të vijojmë me të njëjtën ecuri, duke fituar nesër”.