Daja “përjashton” Danilo Alveshin, “Dorëheqja? Pyesni kolegët!”

Flamurtari nuk realizoi asnjë objektiv në ndeshjen e parë të kupës përballë Tiranës. Vlonjatët nuk shënuan, madje pësuan dhe dy gola. Një rezultat i tillë është i vështirë për t’u kthyer, por Ilir Daja nuk dorëzohet.

Trajneri flet për paraqitjen e ekipit të tij për “Supersport” , beson te ndeshja e kthimit dhe në fund thumbon Danilo Alvesh, i cili vazhdon të “pushojë” në Brazil dhe nuk është bashkuar akoma me ekipin.

“Sigurisht që është një rezultat që i jep Tiranës një hap drejt kualifikimit. Ka edhe 90 minuta, ne kishim shumë mungesa dhe improvizuam. Morëm dy gola në goditje standarde. Pjesë e lojës janë edhe gabimet, te goli i parë nuk ruajtëm topin e dytë. Do bëjmë gjithçka që në kthim të kalojmë tej në Kupë”.

“Ne mund të shkojmë drejt objektivit nga Kupa ose nga kampionati. Nuk kemi çfarë humbasim në kthim. Rikthimi i titullarëve të tjerë mendoj të zgjidhim diçka ndryshe nga sot”.

“Lojtarët jo të qetë? Si trajner nuk më takon të kthej përgjigje, por gjithçka drejtohet nga sistemi nervor. Brazilianiu? Danilo Alvesh do t’i japim kohën e duhur nga fundi i kampionatit”.

“Keni menduar dorëheqjen? Kur jap dorëheqjen e kam personale, nuk mund ta trajtoj tani kur nuk ka dalë gjë nga goja ime. Mund të pyesni kolegët tuaj që e kanë nxjerrë si lajm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *