Trajneri i Skënderbeut thekson se nuk e merakos aspak humbja në testin e parë me amatorët sllovenë, por mungesa e lojtarëve
Leonard Trebicka
Prej disa ditësh korçarët ndodhen në Slloveni, ku po përgatisin ndeshjet europiane. Kanë luajtur edhe miqësoren e parë në këto përgatitore, ku u munduan 3-2. Trajneri Ilir Daja, në një intervistë për “Sport Ekspres”, thekson se është i shqetësuar për vonesën e blerjeve për sulmin. Atë nuk e ka shqetësuar aspak humbja në testin e parë slloven, sepse ka pasur shumë mungesa në ekip. Madje, vazhdojnë t’i mungojnë për momentin 4 lojtarë dhe grupi nuk është ende i plotë. Trajneri i Skënderbeut ka folur për gjendjen aktuale të të tijve dhe për atë çfarë pret në merkato dhe në ndeshjet e Europa League. Ja intervista e plotë e Dajës:
– Daja, si po ecin përgatitjet në Slloveni?
– Të them të drejtën, po ecim mirë. Me seancat çdo gjë po ecën mirë dhe në këto pesë ditë kemi mbyllur edhe stërvitjen e dhjetë. Zhvillojmë dy stërvitje në ditë, paradite dhe pasdite. Sigurisht, ka edhe probleme, si në çdo fazë, pasi ekipi në këtë moment është edhe në merkato dhe jam duke pritur lojtarë.
– Përpara se të kalojmë te merkatoja, si do ta komentonit humbjen 3-2 në miqësoren ndaj një ekipi amator slloven?
– Ndoshta bie në sy, kur Skënderbeu humb, pasi jeni mësuar me fitore për ekipin që drejtoj unë. Ka qenë një miqësore, që e kërkova vetë, me një ekip të nivelit më të ulët, për vetë faktin se kështu fillojnë testet gjatë fazës përgatitore. Nuk më intereson aspak humbja, pasi shikoj gjendjen e grupit dhe nuk dua t’ia di për rezultatin. Nuk më shqetëson aspak humbja. Nuk luanim për kampionat, që të kërkonim fitoren. Synimi im ishte të fusja në kushte loje të gjithë grupin e lojtarëve, madje çdo lojtar të luante jo më shumë se 45 minuta, ndaj i zëvendësova të gjithë. Nëse do të luanim për fitore, mund të mbaja të gjithë titullarët. Prandaj, të mos diskutojmë për humbje apo fitore në ndeshjet miqësore.
– Çfarë konkluzioni nxorët pas asaj ndeshjeje?
– Pashë gjendjen e grupit, ku pas 10 seancash lojtarët kanë qenë të lodhur. Përveç ngarkesës me stërvitje, do të fillojmë gradualisht të testojmë lojtarët në kushte loje, pasi 29 qershori nuk është larg. Në këtë datë i gjithë grupit do të jetë 100% gati fizikisht.
– Kalojmë te merkatoja. Ka afrime të tjera te Skënderbeu?
– Nuk kemi asnjë blerje tjetër, përveç Shkodrës dhe Ditës. Jam duke stërvitur të njëjtin grup futbollistësh dhe pres përforcimet, por edhe disa lojtarë, të cilët nuk kanë mbërritur ende në Slloveni.
– Më konkretisht, çfarë lojtarësh prisni të afrojnë drejtuesit e klubit?
– Lojtarë sulmues, pasi aty kemi më shumë nevojë. Drejtuesit, pas konsultave që kemi pasur, janë duke përgatitur këto goditje, por sigurisht nuk mund të themi asgjë konkrete deri në momentin, kur ta kemi mbyllur me ndonjë lojtar.
– Mund ta dimë me cilët lojtarë po kontakton klubi?
– Nuk ka emra konkretë, pasi nuk ka asnjë zyrtarizim. Janë disa pista dhe bëhet fjalë për lojtarë të huaj, por të presim. Është një çështje, që më shqetëson, pasi dua t’i kem sa më parë në ekip lojtarët e rinj. Koha është e shkurtër dhe ata që do të vijnë, duhet të përshtaten.
– Po dy blerjet e deritanishme, Shkodra dhe Dita, si ju janë dukur?
– Mund të them se janë lojtarë që na duhen. Shkodra nuk ka gjendjen e tij optimale dhe po punon shumë. Madje, në miqësore e aktivizova si sulmues të parë dhe shënoi një gol. Edhe Dita është një djalë, që po punon shumë. Pres të tjerët dhe kur të plotësohet grupi, mund të them se ky është Skënderbeu, që mendoj të kem edhe në Europa League.
– Mungojnë lojtarë si Shehi, Xhejms, Latifi dhe Radas…
– Po, edhe këta lojtarë nuk janë me ekipin, prandaj thashë që kam shumë mungesa. Është pak e vështirë, pasi kur të vijnë të gjithë, do të na kenë mbetur pak ditë të përgatitjeve këtu në Slloveni. Por shpresoj që në fund të jemi gati. Pres blerjet e reja, kjo është ajo që shqetëson më shumë.
– Si e parashikoni Skënderbeun e Kupave të Europës?
– Nuk mund të parashikoj, pasi jam ai që po punoj me këtë ekip dhe shpresoj që këtë verë të jemi sërish solidë në paraqitjen e skuadrës. Do të kërkojmë që në Europa League të shkojmë sa më larg, ky është objektivi i të gjithëve.