Skënderbeu do të përballet nesër me Kairat Almatin në Kazakistan dhe sot në konferencë për shtyp kanë dalë trajneri Ilir Daja dhe kapiteni Orges Shehi.
“Kemi përballë një kundërshtar i cili ka avantazh të madh faktin që është në aktivitet, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi cilësitë tona. Pjesë e grupit të Skënderbeut janë disa futbollistë që kanë eksperiencë në Europa League dhe do ta ndihmojnë skuadrën për të arritur atë ç’ka duhet. Gjithashtu diferenca e madhe kohore mes Shqipërisë dhe Kazakistanit ndikon në përshtatjen tonë, por te tilla janë kushtet. Për fat të mirë ekipi është i plotë dhe ka besim për tu përballur ndaj Kairatit. Kundërshtari ka lojtarë kualitativ, patjetër që e kemi studiuar mirë atë, por në Almaty do mbrohemi mirë dhe do shikojmë përpara për të shënuar gol”, u shpreh trajneri bardhekuq për mediat e pranishme në konferencë për shtyp, sipas raportimit që bën faqja zyrtare e Skënderbeut.
Ndërkaq, Shehi veçon faktin që Kairati është në kulmin e sezonit dhe gjithashtu diferencën e orës: “Kundërshtari ka favor të madh aktivitetin dhe diferencën e orës, që për ne është disi problem, pasi katër orë nuk janë pak. Megjithatë, grupi është i plotë dhe ka shumë besim për të marrë rezultat pozitiv. Kundërshtarin e kemi studiuar mirë dhe ja dimë pikat e forta. Skënderbeu ka histori në Europë dhe nuk duhet të ndalemi këtu.”.