Daja: Ja çfarë pres nga gjyqtarët, harxhuam shumë energji

0

Trajneri Ilir Daja foli pas ndeshjes me Skënderbeun, duke komentuar nga gjykimi deri te momenti i golit. Për “Supersport” në emisionin “Gol pas Goli” tekniku i kuqezinjve theksoi se para se ta kërkojnë gabimin te të tjerët duhet të shohin te vetja.

“Ishte një lojë e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë bëmë mirë, ndërsa në pjesën e dytë sa për meritë të kundërshtarit dhe për gabimet tona kundërshtari ishte më mirë. Atë që bëmë në pjesën e parë nuk e bëmë në pjesën e dytë, duke dhuruar dhe shumë topa për Skënderbeun, i cili po ashtu kishte meritë, pasi e rriti lojën në pjesën e dytë”.

“Nuk përbën më lajm pjesa e mungesave, pasi nga fillimi dhe deri tani, kur janë luajtur 13 javë nuk kemi pasur ekip të plotë. Beqja është i ri dhe ka një gjendje fizike të mirë. Ishte një zgjidhje duke parë dhe lojtarin që Skënderbeu ka në të majtë. Ishte një lëvizje pozitive, por në pjesën e dytë kishte harxhuar shumë energji dhe e zëvendësuam, edhe për shkak të kontingjentit që kemi në dispozicion”.

“Nuk jam ankuar as te Skënderbeu dhe as te Flamurtari për gjyqtarët edhe pse javës që shkoi e patë vetë se çfarë ndodhi në minutën e 9-të. Ajo që dua unë është loja efektive. Nuk e ndihmojmë futbollin duke i rënë bilbilit 90 apo 100 herë në një takim. Ka dhe dyluftime kur mund të lejohet vijimi i lojës brenda rregullores së lojës. Sulmuesi ynë, Bushiç, në çdo lloj kontakti nuk ka faull, jo për ndeshjen e sotme, ndërsa për kundërshtarin e shtynë. U thash dhe lojtarëve në dhomat e zhveshjes, para se ta kërkojmë te të tjerët duhet ta kërkojmë te vetja jonë”.

“Kishte raste kur i kemi dhuruar topin kundërshtarit edhe kur nuk ishim në presion, që do të thotë harxhim energjie, por dhe ana psikologjike i jep shtysë kundërshtarit dhe e çon skuadrën në një presion të pavend. Nëse gabon që kur merr topin do të vijë një moment kur gabon afër zonës, nga ku erdhi dhe goli”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.