Armando Cungu doli sot para mediave dhe foli për ndeshjen e radhës me Luftëtarin. Objektivi i Kukësit janë tre pikët, por shkodrani kërkon që të vlerësohet kundërshtari. Ai pret edhe shumë nga skuadra e tij, ndërkohë që flet edhe në lidhje me derbin.
ULTIMATUMI – “E kemi diskutuar edhe javën e shkuar. Është e drejta e presidentit për të kërkuar maksimumin, sikurse dhe ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Mendojmë për takimin e Gjirokastrës dhe fokusi ynë është tek kjo ndeshje”.
LUFTËTARI – “E kam thënë gjithnjë se ky kampionat nuk është i lehtë për askënd. Nuk mund të parashikosh. Duhet të luftosh dhe të djersish për të marrë 3 pikët. Të gjitha ekipet janë të vështira, nuk bën përjashtim as Luftëtari dhe duhet respektuar. Po bën mirë dhe po merr pikë. Ata kanë nevojë për pikë, por edhe ne kemi nevojë për pikë. Kështu që nesër do të hymë në fushën e lojës për të marrë 3 pikë”.
“Futbolli është i çuditshëm. Mund të luash shumë mirë dhe mund të mos marrësh pikë, por mund të mos jesh në një ditë të mirë dhe merr maksimumin. Kundërshtari duhet të respektohet, kanë lojtarë që luajnë prej vitesh bashkë dhe e njohin lojën e njëri-tjetrit. Edhe në javët e fundit ka pasur rezultate pozitive dhe është një ekip që duhet pasur kujdes. Ne jemi Kukësi dhe duam të marrim maksimumin”.
NDESHJA E SHKUAR – “U gëzova që të tre lojtarët shënuan dhe I dhanë skuadrës 3 pikë shumë të nevojshme, por duke parë këtë aspekt shpresoj që të jetë një impuls apo çlirim për Shkurtajn. Nuk është akoma maksimumi i asaj që unë pretendoj dhe pres nga Kukësi. Gjithsesi jemi në përmirësim. Lojtarët po merren vesh me njëri-tjetrin, por nuk mund të them se ky është maksimumi ynë”.
DERBI DHE RIVALËT – “Pres që lojtarët të fitojmë ndeshjen tonë nesër. Problemi i parë dhe kryesor është fokusimi tek ndeshja e radhës dhe kjo ka shumë rëndësi për ne. Ne nuk kemi në letër asnjë ndeshje të lehtë, si asnjë ekip tjetër. Ne jemi të fokusuar për të marrë ndeshjet tona, nuk shohim çfarë bëjnë kundërshtarët. Të bëjmë punën tonë dhe më pas mund të mësojmë për kundërshtarët. Shpresojmë që Tirana të bëjë detyrën e vet edhe të ndalojë kundërshtarin, Partizanin. Jam i bindur se çdokush do të ndalet. Ka kohë për të gabuar çdokush. Ne duhet të fitojmë ndeshjet tona”.
DËMTIMET – “Mund të kemi ndonjë individ që ka qenë në diskutim, por do të marrim konfirmimin nesër nga stafi mjekësor. Shkurtaj do të jetë në fushën e lojës dhe nuk ka asnjë dyshim për të. Edhe për mua si trajner është hera e parë që kam kaq shumë problem me dëmtime. Nuk kemi pasur asnjëherë një formacion të njëjtë në dy ndeshje rresht. Vetëm 2 lojtarë janë dëmtuar në këto 8 muaj në stërvitje.
Nëse marrim një shembull në botë, Liverpuli kishte 5 dëmtime në një javë e gjysmë, të 5 në mbrojtje. Te ne nuk ka pasur problematika të tilla për stërvitjen. Kemi pasur dëmtime në fushë për shkak të agresivitetit dhe ndërhyrjet e kundërshtarëve. Kjo tregon se kundërshtarët tonë karikohen në maksimum kundër Kukësit dhe është normale se bëhet fjalë për një ekip me emër që do të jetë në krye të klasifikimit. Edhe fati nuk ka qenë me ne për sa i përket dëmtimeve.
Kemi pasur edhe Maliqin që na ka shqetësuar, ashtu si Rroca për shkak dëmtimi. Çdo trajner do ta ketë ekipin e plotë. Në futboll nuk dihet si mund të paraqitet një lojtarë në një ndeshje, ndaj duhet një grup i plotë. Shqetësimet janë normale”, përfundoi Cungu.