Humbja e parë pas katër fitoreve me radhë. Rezultat, që e zbret Kukësin nga kreu i renditjes në vendin e katërt, por mbi të gjitha një disfatë përballë një rivali direkt si Skënderbeu. Trajneri Armando Cungu priste më tepër nga sfida në Korçë dhe për programin “Gol pas Goli” në “Supersport”, drejtuesi i stolit të verilindorëve tha: “Kishim ardhur për rezultat pozitiv, duke e menduar edhe fitoren. Duke parë edhe momentin e mirë të ndeshjeve të fundit, si në lojë dhe rezultate, logjikisht e kërkonim edhe fitoren”.
“E nisëm mirë lojë, por në një pakujdesi e një pjese mbrapa, e cila lihet për të mos pësuar në kundërsulm. Skënderbeu na rrezikoi me Muzakën dhe aty kundërshtari mori aspekt psikologjik shumë të madh të mbështetur edhe nga tifozeria. Kemi lojtarë të rinj dhe nuk arritëm ta përballonim në aspektin psikologjik. Patëm edhe mundësi për të barazuar, por nuk ia dolëm. Penalltia? Është evidente”.
“Nuk ishim vendosur keq në momentin e golit, por kam frikë se ndonjëherë në mbrojtje lojtarët qëndruan shumë pranë njëri-tjetrit, ndërsa edhe Çyrbja duhet të bënte një sakrificë, për ti qëndruar më pranë Gripshit. Janë gjëra të vogla, por që bëjnë diferencën në futboll”.
“Synimi drejt titullit? E kam thënë që në fillim, nuk i vendos unë objektivat, por ato i vendos klubi. Natyrshëm që Kukësi i ka dhënë tonin kampionatit në vitet e fundit dhe steka e Kukësit është e lartë, duke kërkuar maksimumin. Është një presion jo i vogël. Nuk është e lehtë të dalësh kampion në Shqipëri, ka ekipe shumë të mira, por edhe Kukësi nuk është mbrapa. Kemi ndryshuar shumë nga sezioni i kaluar me 14 lojtarë të afruar”.
“Si fitohet titullit kur humbet me rivalët direkt? Është një ndeshje edhe mund të rrihemi, por nuk do të thotë se Skënderbeu doli kampion. Përveç ndryshimeve, jemi penalizuar edhe nga dëmtimet e Musollit dhe Rrumbullakut, të cilët janë pika të rëndësishme të ekipit, ku edhe sot i vuajtëm. Nuk është pak që lojtarë të rëndësishëm të mos jenë prezentë për disa ndeshje. Ekuilibrat prishen, mbipopullimi me lojtarë të huaj, ka bërë që të ndikojnë zgjedhjet në formacion apo me zëvendësimet”.
“Fakti që nuk luajmë në fushë tonë nuk është pak, por unë fokusohem te ekipi, ku mundohem të marr më të mirën. Ndeshja me Korçën ishte një paraqitje me dy fytyra, ku ndoshta barazimi mund të ishte rezultati më i drejtë për atë që u pa në fushë. Nuk kishte ndonjë diferencë të madhe ekipi i Skënderbeut”.