Armando Cungu ka folur për situatën te verilindorët para ndeshjes së vështirë ndaj Tiranës. Kukësi do të tentojë të gjejë fitoren e parë në kampionat pas barazimit ndaj Laçit dhe humbjes ndaj Flamurtarit. Tekniku shkodran e pranon se fitorja është detyrim për të tijtë dhe se ka besim se lojtarët do të dijnë të bëjnë kthesën kësaj here.
“Normalisht është fillimi dhe ekipi nuk ka marrë fizionominë e plotë. Kemi bërë ndeshje të mira, kemi dominuar në dy ndeshjet e para të sezonit, por ato që kanë rëndësi janë pikët. Kukësi në fakt është mangët sa i përket pikëve dhe ka nevojë për një reagim shumë të shpejtë, që në ndeshjet e nesërme, për të sjellë qetësinë dhe për të parë përpara” .
Lodhja e skuadrës – E natyrshme, është zhvilluar një fazë përgatitore, edhe pse unë nuk kam qenë pjesë. E di se çdo të thotë të marrësh pjesë në Kupat e Europës. Ka pasur pak mundësi për rehabilitimit apo pushim për lojtarët. temperaturat kanë qenë shumë të larta gjatë stërvitjes. Dua të them se në një farë mënyre ka sjellë pasojat e veta. Lodhja në Kupat e Europës është reflektuar dhe në ndeshjet e kampionatit, sidomos në takimin e parë me Laçin. Pa u bërë 3 ditë u detyruam të zbrisnim në fushë., Edhe pse dominuam, ekipi nuk kishte ritmin e duhur, për shkak të lodhjes. Shpresojmë që në ditët në vijim apo ndeshjet në vijim të rikthemi në ritëm.
Vështirësia e takimit – E sigurt që nuk ka asnjë ndeshje të lehtë në Superiore, si kundër Tiranës ashtu dhe ndaj çdo ekipe, siç mund të jenë debutuese. Edhe kampionati botëror ka treguar se diferencat janë ngushtuar shumë dhe të gjithë dinë të luajnë futboll. Nëse nuk jep maksimumin në fushën e lojës, nëse nuk tregohesh serioz në çdo sekondë të sajën edhe mund të ndëshkohesh, siç na ka ndodhur në dy ndeshjet e para. Dy pakujdesi në goditjet standarde na sollën këtë situatë të pikëve. Duhet të ndryshojmë në mentalitet, për të kuptuar që nuk kthehen më ndeshjet e humbura apo pikët e lëna. Që të mos vajtojmë më për pikë duhet të rikthemi me shumë karakter në këtë sfidë.
Fitorja detyrim – Futemi për ta fituar ndeshjen. Në natyrë time, kudo që kam qenë, edhe pse kam pasur ndonjë ekip që nuk ka pretenduar si Vllaznia, është për t’u futur në fushë dhe për të fituar ndaj çdo ekipi., aq më tepër që Kukësi tani është një skuadër me emër në futbollin shqiptar që i ka dhënë tonin në elitën e saj dhe duhet me çdo kusht fitorja. Futbollit nuk i dihet. Ka raste që luan më mirë se kundërshtari dhe nuk merr dot tre pikët. Këtë herë do të pranoj të luajmë më keq se kundërshtari, por vetëm të marrim pikët.
Problemet në lojë – Ekipi duhet të punojë në çdo repart, edhe pse një repart mund të veprojë mirë në një ndeshje, mund të gabojë në ndeshjen tjetër. Duhet të punosh në të gjitha aspektet. Kam pretenduar dhe jemi fokusuar tek faza e fokusimit të aksioneve, diçka që është vënë re dhe në Europë, por dhe me Laçin dhe Flamurtarin. Kukësi ka ndryshuar disa herë sistemin e lojës si nga ndeshja në ndeshje, por dhe brenda lojës, vetëm për të shkuar tek suksesi. Nuk mund të themi si do luajmë ndaj Tiranës.
Dëmtimet – Grupi është mirë, dihet dëmtimi i Rrumbullakut, pas asaj që i ndodhi në Vlorë. Kemi pasur shqetësime nga individë të shqetësuar., nesër do të zbresin në fushë ata që janë në gjendjen më të mirë fizike dhe psikologjike.
Sulmuesi – Rexhinaldon e njohim të gjithë, që ka bërë mirë si te Luftëtari ashtu dhe tek Laçi., ka vrapuar shumë dhe ka shënuar shumë. Është një sulmues që të jep shpresë dhe garanci për shënim golash. Për momentin ka një ngërç, diçka që njihet në futboll. Jam i bindur dhe kam besimin e plotë se Rexhinaldo do të tregojë vlera dhe tek Kukësi.