Armando Cungu, trajneri i Kukësit, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Luftëtarin. edhe pse gjirokastritet fituan, shkodrani thekson se do të përballen me një ekip në presionin e pikëve.
Synimi në këtë takim janë tre pikët, ndërkohë që thekson se nuk sheh eufori në ekipin e tij dhe kjo i pëlqen. Gjithashtu ai vë në dukje një problem të Kukësit dhe lidhet me finalizimin e aksioneve.
Profesor si e shikoni takimin me Luftëtarin, cili është synimi i Kukësit?
patjetër që duam vetëm fitore. E kam thënë edhe e them, hyjmë kudo për fitore. Sigurisht respektojmë kundërshtarin. Luftëtari ka marrë një fitore me rezultat të mirë kundër Teutës, por kjo nuk do të thotë se ata kanë dalë nga problematikat apo presioni, pasi tre pikë në pesë ndeshje janë pak. Gjithsesi respektojmë kundërshtarin, por mbi të gjitha kualitetet tona. Besoj te djemtë dhe natyrisht duhet të shfrytëzojmë momentin e mirë.
Jeni i kënaqur me sistemin e lojës në mesfushë dhe sa ju mungon Musolli?
Mungesa e tij dihet, na mungon shumë dhe është shumë i rëndësishëm. Do mungojë gjatë, i uroj fat në operimin e tij. E presim të gjithë të kthehet. jam i kënaqur me kontributin e djemve. Limaj ka bërë mirë, ashtu sikurse edhe Shkodrës. Sa i takon ndeshjes me Kamzën, nuk jam dakord që na vunë në vështirësi. Në 20 minutat e fundit ndoshta, por për 70 minuta ishim ne “Zot”. Kemi humbur shumë raste dhe po na ndodh shpesh. Po të shënonim edhe një gol do ishim më të qetë dhe do të shpreheshim më mirë. Në futboll është me rëndësi të dish edhe të vuash. Shpresoj të rregullojmë edhe finalizimin.
Është gjë e mirë kur nuk shënon vetëm sulmi? Herën e fundit shënoi Shameti…
Deri tani kanë shënuar sulmuesit dhe mbrojtësit, tani pres kontributin e mesfushorëve (qesh).
Profesor, deri më tani janë luajtur pesë javë kampionat. Si mund ta vlerësoni Kukësin tuaj?
Fillimi nuk ishte i mirë, jo me lojë, por me rezultate. Prodhojmë lojë dhe raste, por kemi ngërç në finalizim. Javët e fundit kanë qenë të mira dhe na kanë dhënë qetësinë e duhur. I jemi afruar kreut me 1 pikë, jemi në rritje të vazhdueshme. Duhet të rregullojmë finalizimin, vetëm kjo nuk më kënaq. Pjesa tjetër më kënaq. Jam i bindur se kemi ende vend për përmirësim.
Mezani e ka ndryshuar Luftëtarin, të paktën në aspektin psikologjik…
E njeh personalisht dhe i uroj suksese. Por me tre pikë nuk ndryshon faktori psikologjik. Ata janë në presionin e pikëve, pasi kampionati vjen e bëhet edhe më i egër dhe bëhet më e vështirë për të marrë pikë. Kanë humbur shumë në fillim dhe do jetë një barrë për gjithë sezonin për ta.
Mendoni se keni lojtarë mjaftueshëm për të përballuar kampionatin?
Çdo ekip ka nevojë për stol, mund të ketë ankesa për lodhjen. kalendari është i ngjeshur, por nuk na tremb asnjë kundërshtar e kalendari. Është njëlloj për të gjithë. Pas Luftëtarit kemi ndeshjet me Partizanin dhe Skënderbeun, dy rivalë të drejtpërdrejtë. Gjithsesi preferoj t’i marr ndeshjet një e nga një. Të shohim e të fitojmë me Luftëtarin, pastaj mendojmë për ndeshjet e tjera.
Tre fitore radhazi për ju, por a druheni se ekipi mund të kalojë në eufori?
Pyetje e bukur, i ndodh çdo ekipi. Kam kërkuar seriozitet, nuk kam shprehur ndonjë kënaqësi të madhe për pikët e marra. Një ekip që synon titullin kampion nuk ka pse t’i gëzohet pikëve, pasi nëse nuk merr maksimumin bëhet më i vështirë objektivi. Këtë jam munduar t’ua përçoj edhe djemve dhe deri në këto momente të jem i sinqertë kam parë seriozitet. Vetëkënaqësi kanë vetëm lojtarët, ekipet apo trajnerët që janë amatorë. Në profesionalizëm nuk ka vetëkënaqësi.
Me Orikun bëtë ndeshje të mirë, a ka ndonjë lojtar që mund të ketë hapësira në ekipin e parë?
Një pjesë kanë luajtur në formacion më parë, por për shkak të formës apo dëmtimeve nuk kanë pasur hapësira në 2-3 javët e fundit. Stërviten 25 lojtarë dhe pretendoj të jenë të gatshëm të gjithë kur të jetë hapësira. Ishte një test me Orikun, por është e vështirë t’i motivosh në ndeshje të tilla me kundërshtarë modestë. Nuk është se është dhënë maksimumi, edhe pse prisja më tepër nga individë të veçantë.
Keni pasur dëmtime, por tani duket se situata është normalizuar, jeni gati për të arritur kreun që këtë javë?
Dëshira është shumë e madhe. Natyrshëm që do të donim që kontingjentin ta kishim të plotë dhe të mos kishim pasur dëmtimin e Musollit dhe të Rrumbullakut, por futbolli i tillë është. Nuk mund të nisë një sezon dhe të mbarojë me 25 lojtarë, pasi gjatë rrugës ka firo. Edhe ne fatkeqësisht i kishim që në fillim të sezonit. Flas për Musollin, pasi Rrumbullaku është drejt rikuperimit dhe do të jetë shumë shpejt në fushën e lojës. Mungesa e Musollit ishte e shpejtë për ne. Dëshira është e madhe për ta kapur kreun që këtë javë, mundësitë janë të mëdha, megjithatë nuk më intereson çfarë do të bëjnë kundërshtarët. Ne duhet të fitojmë ndeshjen e radhës
Sa të vështirë e keni zgjedhjen, duke marrë në konsideratë që keni 8 të huaj në dispozicion dhe vetëm katër mund të luajnë?
Duhet të bëj më të mirën për klubin me kontingjentin që kam. Duhet të aktivizoj ato lojtarë që janë më të aftë momentalisht për t’i shërbyer klubit. kështu kam bërë dhe kështu do të bëj sërish. Më pas do të shohim paraqitjen e tyre dhe më pas të marrim vendimet e duhura, si unë ashtu dhe drejtori Nexhipi ashtu dhe presidenti Gjici.
E kemi parë Çyrbjen në stol, zgjedhje e juaj apo ka pasur probleme fizike?
Ka pasur një dëmtim në ndeshjen me Tiranën, por që për fatin e mirë nuk ishte aq serioz sa pritej. Duhej pak kohë për rikuperim, por nuk duhet të harrojmë që kemi 25 lojtarë dhe në momente të caktuara mund të japin kontributin e tyre. Nuk ka trajner në botë që t’i thotë lojtarit që ke luajtur shumë mirë, por ulu në stol se do loz Armando. Është lojtar që ka kualitet dhe besoj se do ta ndihmojë Kukësin dhe do të ketë hapësirat e tij, jo vetëm Çyrbja, por dhe çdo lojtar. E rëndësishme është që çdo lojtar të japë më të mirën e tij për veten e tij në radhë të parë dhe më pas për gjithë grupin. Kjo është ajo çfarë pretendoj. Pak rëndësi kanë emrat, për mua të gjithë janë të barabartë në fushën e lojës. Të gjithë kanë mundësi për të dhënë më të mirën e tyre.
Sa ju shqetëson që sërish ndryshuat shtëpi?
Në një farë mënyre u mësuam, sepse e dinim që para se të fillonte sezoni dhe jemi munduar që t’i përgatisim lojtarët se do të luajmë një sezon pa shtëpi, në qiell të hapur. Kudo që do të gjejmë dyert e hapura do të luajmë. Ishte e rëndësishme që ta kuptojmë. Deri tani po bëjnë mirë dhe më lë shpresë se do ta bëjmë mirë dhe në të ardhmen. Nuk është diçka pozitive kjo gjë. Fusha jote është e jotja. Çdo kush e di ku janë sirtarët apo dhe ku ka veglat për t’i shërbyer për nevojat që ke. Kështu është dhe futbolli. Fushën tënde e njeh me milimetra, je ambientuar, edhe kundërshtari e di se luan jashtë. Ne jemi të barabartë me kundërshtarët. Nëse do jemi serioz, them se nuk do të kemi shumë shqetësime prej faktit se ku luajmë.
Jeni i kënaqur që shkodranët ju kanë mbështetur?
Nuk ka asnjë dyshim që unë dua të rikthehemi në Shkodër, pasi shkodranët e duan futbollin dhe vijnë jo vetëm për të më mbështetur mua, por dhe Kukësin. Shkodra e do futbollin dhe natyrshëm e sheh si një ngushëllim, përderisa nuk është skuadra e tyre e zemrës në elitë. Uroj që në të ardhmen të jenë dhe më të shumtë tifozët.