Lëvizje e zgjuar e Kukësit, që ka realizuar një plan të vjetër merkatoje. “SportEkspres.com” kishte raportuar që me 3 janar (Lexo këtu) bisedimet për kalimin e Harallamb Qaqit te Kamza, ndërkohë që në krahun tjetër kërkohej Olsi Teqja.
Sot është bërë realitet kjo lëvizje raporton Supersport. Mbrojtësi qendror i verilindorëve fillimisht nuk ka qenë dakord, por duket se tanimë ka vendosur të ndryshojë ambient. Dëshira e tij është që të luajë dhe me Kukësin duket e vështirë që ta bëjë diçka të tillë.
Nga ana tjetër Teqja është një lojtar që njihet shumë mirë nga trajneri Armando Cungu dhe drejtori Ramadan Ndreu. Që të dy kanë punuar në të shkuarën me lojtarin polivalent dhe afrimi i tij mbyll shumë “vrima” te skuadra e Kukësit.
Teqja luan në disa pozicione, por te verilindorët ishte i domosdoshëm afrimi i një mesfushori qendre dhe i një mbrojtësi të djathtë. Zgjidhja është Teqja, që mund t’i mbulojë këto dy pozicione. Gjithashtu ai luan edhe si mbrojtës qendre, duke qenë një “xhol” për Cungun.
Nga ana tjetër Gjoka i kënaqet afrimit të Qaqit, një lojtar të cilin e pëlqen dhe e ka kërkuar edhe kur ishte në krye të Kukësit. Tashmë do ta ketë atë nën urdhrat e tij te Kamza. Tani pritet të vijë zyrtarizimi nga klubet, për të konfirmuar gjithçka.