Kristiano Ronaldo është përshtatur mirë me Juventusin dhe po bën të ëndërrojë tifozët bardhezinj, por ai mund të ishte një lojtar i Milanit. Lajmi i bujshëm vjen nga “El Mundo”, që zbulon tentativën e kuqezinjve për të blerë yllin portugez.
Bëhet fjalë për vitin 2017, kur Jonghong Li i ofronte Ronaldos 150 milionë për pesë sezone. Më thjeshtë, 30 milionë euro në sezon. 33-vjeçari u tundua nga oferta e Milanit, por në fund vendosi të qëndronte në Madrid, për t’u larguar një vit më vonë drejt Juventusit.
“El Mundo” shpjegon dhe shkaqet e largimit të CR7 nga Reali i Madridit dhe ato ishin dy. Problemi me taksat në vendin iberik dhe marrëdhënia e përkeqësuar me presidentin Florentino Perez. Ronaldo ishte lodhur me faktin që kreu i Realit përmendte Di Stefanon si futbollistin më të mirë të historisë së klubit “merengues”, ndërsa portugezit nuk i pëlqente kjo gjë.
“Nuk e di se çfarë duhet të bëj më shumë që të jem numri 1 i Realit”, i ankohej sulmuesi disa miqve të tij. Ai u lodh dhe nga problemet me shtetin spanjoll, ndërkohë që kishte urdhëruar disa herë menaxherin dhe avokatët e tij se, taksat duheshin paguar, nuk dëshironte probleme me shtetin dhe ata duhet t’i shpjegonin imtësisht se çfarë kishte ndodhur.