Kristiano Ronaldo shënoi tre gola të bukur kundër Zvicrës dhe dërgoi Portugalinë e tij në finalen e Ligës së Kombeve. Ylli i Juventusit ndihet mirë, në formë, i karikuar dhe i lumtur.
Nesër zhvillohet finalja kundër Holandës dhe Ronaldo me shokë duan fitoren. Ndeshja luhet në shtëpi dhe kjo është një avantazh. 34-vjeçari flet për objektivat dhe sekretet e tij. Pavarësisht se vitet kalojnë, ai përmirësohet dhe shënon gjithnjë e më shumë.
“Është gjithmonë një nder për mua të rikthehem në Portugali. Të jesh pjesë e këtij kompeticioni është speciale dhe të shënosh është qershia mbi tortë. Shpresoj të fitojmë Ligën e Kombeve. Luajmë në shtëpi dhe do të japim gjithçka. Ndihem mirë fizikisht në moshën 34-vjeçare. Koka është gjëja më e rëndësishme. Duhet të jesh i fortë psikologjikisht dhe i lumtur. Mendoj se kam akoma shumë për të dhënë”, përfundon Kristiano Ronaldo.